Trump njofton investimin 54 miliardë dollarë të Koresë së Jugut në SHBA, në fokus tubacioni i gazit në Alaska

30/09/2026 20:28

Presidenti amerikan Donald Trump pritet të njoftojë sonte një investim masiv të Koresë së Jugut në Shtetet e Bashkuara, që përfshin një projekt prej 54 miliardë dollarësh për ndërtimin e një tubacioni gazi në Alaska.

Sipas Shtëpisë së Bardhë, Trump do të prezantojë projektin korean të gazit natyror të lëngshëm (LNG), i cili synon të transportojë gazin e nxjerrë në veri të Alaskës drejt një porti në jug të shtetit.

Tubacioni do të ketë një gjatësi prej rreth 1,300 kilometrash dhe një diametër prej afërsisht një metër. Gazi natyror do të transportohet drejt portit, ku do të përpunohet në LNG dhe më pas do të eksportohet me anije drejt tregjeve aziatike.

Projekti do të zhvillohet nga grupi amerikan Glenfarne, i cili do të zotërojë 75% të tij, ndërsa pjesa tjetër prej 25% do t’i takojë shtetit të Alaskës.

Megjithatë, projekti përballet me pengesa teknike dhe ekonomike dhe, edhe në skenarin më optimist, nuk pritet të jetë funksional përpara vitit 2030.

Sipas të dhënave të publikuara nga projekti, ndërtimi pritet të krijojë rreth 12 mijë vende pune, ndërsa në fazën e operimit parashikohen deri në 1,000 vende pune.

Autoritetet e Alaskës kanë mbështetur prej vitesh ndërtimin e këtij projekti, por kostot e larta dhe pikëpyetjet mbi qëndrueshmërinë ekonomike kanë penguar avancimin e tij.

Zona ku do të zhvillohet projekti është e pasur me rezerva hidrokarburesh, por njëkohësisht përfshin një ekosistem të rëndësishëm, ku jetojnë specie të rrezikuara, mes tyre arinjtë polarë, arinjtë grizli, kaributë dhe shumë lloje shpendësh.

Projekti ka tërhequr për këtë arsye kritika nga mbrojtësit e biodiversitetit. Administrata republikane e Trump ka hequr ndërkohë një pjesë të kufizimeve dhe rregullave mjedisore që ishin vendosur gjatë administratës së ish-presidentit demokrat Joe Biden.

Interesi për gazin e Alaskës është shfaqur edhe në Azi. Në shtator 2025, kompania japoneze e energjisë JERA deklaroi se po shqyrtonte blerje të konsiderueshme të LNG-së nga ky projekt, pas marrëveshjes tregtare mes Japonisë dhe SHBA-së për rritjen e importeve japoneze të hidrokarbureve amerikane. Njoftimi i pritshëm i Trump vjen pak ditë pasi Sekretari i Brendshëm Doug Burgum dhe Sekretari i Energjisë Chris Wright pritën në Anchorage delegacione nga Japonia, Koreja e Jugut dhe Tajvani, në kuadër të një konference për energjinë, me synimin për t’i nxitur vendet aziatike të blejnë gaz nga Alaska.

Top Channel