Sulmi në bazën ajrore amerikane në Britani, Andy Burnham: Ka prova të forta për përfshirjen e Iranit

30/09/2026 22:13

Kryeministri britanik Andy Burnham deklaroi se ka “prova të qarta” për përfshirjen e Iranit në incidentin e fundjavës së kaluar pranë bazës ajrore RAF Fairford, në Anglinë jugperëndimore, e cila përdoret nga ushtria amerikane në operacionet e saj kundër Teheranit.

“Ka prova të qarta se Irani luajti një rol në ngjarjet që u zhvilluan në fundjavë në Bazën Ajrore Fairford”, tha Burnham në një intervistë për BBC. Irani ka mohuar kategorikisht çdo përfshirje në këtë rast.

Pesë burra, të moshës 23 deri në 25 vjeç, u arrestuan nga policia britanike nga e shtuna në mbrëmje deri të dielën pranë bazës, pasi një banor njoftoi autoritetet për praninë e tre automjeteve të dyshimta në zonë.

Të dyshuarit fillimisht u akuzuan për shkelje të Aktit të Eksplozivëve dhe përgatitje të një akti terrorist, por u liruan me kusht të hënën. Një ditë më vonë, policia njoftoi se në furgonët e përdorur prej tyre nuk ishin gjetur pajisje shpërthyese, por vetëm sasi të mëdha karburanti.

Hetimi i agjencisë britanike kundër terrorizmit vijon “në bashkëpunim të ngushtë me kolegët tanë në Shtetet e Bashkuara”, tha Burnham.

Edhe Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi të martën se në këtë rast ishte përfshirë “qartësisht një aktor i huaj”, pa dhënë detaje të tjera.

Policia britanike, ndërkohë, ka thënë se po shqyrton disa pista, përfshirë mundësinë e përfshirjes së një shteti të huaj.

Lirimi me kusht i pesë të dyshuarve shkaktoi reagime në Britani dhe SHBA. Presidenti amerikan Donald Trump tha se ishte “i befasuar” nga vendimi për lirimin e tyre.

Burnham deklaroi sot se pesë burrat janë liruar “me kusht sipas kushteve më të rrepta”.

Sipas gazetës britanike The Times, çështja u zbulua pasi njëri prej pesë burrave kontaktoi vetë policinë përpara arrestimeve. Megjithatë, nuk është e qartë nëse ai e bëri këtë pasi ishte penduar për përfshirjen e tij apo nëse telefonata ishte pjesë e një plani të paracaktuar.

The Times nuk ka bërë të ditura burimet e saj, ndërsa policia britanike ka refuzuar të konfirmojë nëse njëri prej të dyshuarve i kishte informuar autoritetet.

Top Channel