Teksa sfida e emigracionit ende “torturon” Gjermaninë, që ende përpiqet të balancojë politikën e saj në lidhje me të huajt, Ministria e Brendshme me sa duket ka vendosur t’i japë drejtim kësaj çështje përmes një fushate reklamimi, e cila tenton të rrisë numrin e riatdhesimeve vullnetare.
Ministria, e udhëhequr nga aleati bavarez i kancelares Angela Merkel, Horst Seehofer, vendosi të joshë riatdhesuesit potencialë me një të ardhme të pretenduar të ndritur, duke i kërkuar atyre të largohen vullnetarisht në vendet e tyre të origjinës, duke ju ofruar një sasi parash.
Reklama, të cilat janë vendosur në qytetet kryesore gjermane në mes të nëntorit, paraqesin një slogan motivues që thotë: “Vendi yt! E ardhmja jote! Tani!”
Reklama gjithashtu u ofron atyre që “rrëmbejnë” mundësinë unike të rikthimit në atdhe para fundit të vitit 2018 një shpërblim, pasi qeveria gjermane do tu paguajë shpenzimet e tyre të qirasë në vendet e origjinës për vitin e ardhshëm. Në këmbim, refugjatët duhet të tërheqin aplikimet e tyre për azil dhe të heqin dorë nga procedurat e mëtejshme ligjore për të qëndruar në Gjermani.
Masa e pazakontë është dukshëm e nxitur nga një rënie e shpejtë e këtij viti në kthimet vullnetare midis migrantëve dhe azilkërkuesve. Në 2017, 29,000 njerëz u bashkuan me programet e kthimit vullnetar, por këtë vit shifra ra në mënyrë drastike në vetëm 14,000 deri në fund të tetorit.
Mbetet për t’u parë nëse ministria do të arrijë diçka me këtë nismë, por tashmë ajo ka shkaktuar qartësisht një reagim të ashpër.
“Fushata e fundit e Ministrisë së Brendshme duket si reklamat për shitjet dimërore dhe kjo është cinike”, i tha gazetës Berliner Morgenpost, Konstantin von Notz, zëvendëskryetari i fraksionit të të Gjelbërve në Bundestag. “Me sa duket synohet fshehja e dështimeve të ministrisë dhe përmirësimi i shifrave që lidhen me njerëzit, të cilët vullnetarisht u larguan nga vendi, para fundit të vitit”.
Njerëzit e zakonshëm nuk e vlerësojnë iniciativën, pasi shumë e kanë interpretuar mesazhin e vërtetë prapa sloganit si: “Gjermania nuk është toka juaj dhe e ardhmja juaj nuk është këtu”.
Të tjerë thjeshtë e quajnë “të tmerrshme” fushatën duke e etiketuar këtë iniciativë si “çnjerëzore”. Ndërkohë mijëra njerëz kanë nënshkruar një peticion online për të ndaluar fushatën.
Ofrimi i parave për ata emigrantë të cilët dëshirojnë të kthehen vullnetarisht në vendet e tyre, nuk është diçka e re për Gjermaninë, e cila ka luftuar me numrin e madh të refugjatëve që nga viti 2015, kur Merkel njoftoi politikën e saj “të hapur”. Në vitin 2017, Berlin u ofroi kompensim refugjatëve të refuzuar, të cilët do të pranonin dëbimin. Çdo i kthyer vullnetar normalisht merr rreth 1,200 euro nga autoritetet gjermane, por sipas mediave gjermane, sipas programit të ri ata mund të marrin deri në 3,000 euro.
Top Channel