Kreu i NATO-s, Jens Stoltenberg i kërkoi Rusisë të hënën lirimin e anijeve dhe marinarëve ukrainas të kapur gjatë fundjavës pranë Krimesë, duke thënë se nuk kishte justifikime për veprimet e Moskës.
Ukraina ka akuzuar Rusinë për agresionin ushtarak dhe i ka vënë forcat e saj të armatosura në gatishmëri të plotë luftarake, pasi Rusia të dielën kapi tre anijet dhe ekuipazhin prej 24 personash në ngushticën Kerç, e cila lidh Detin e Zi me Detin Azov.
Kievi i ka kërkuar aleatëve të saj perëndimorë të marrin në konsideratë sanksione të tjera kundër Moskës, ndërsa Rusia nga ana e saj e ka akuzuar Ukrainën për komplotimin me Perëndimin për të provokuar një krizë.
“Ne pamë se Rusia përdori forcën ushtarake kundër Ukrainës në një mënyrë të hapur dhe të drejtpërdrejtë”, tha Stoltenberg në një konferencë shtypi pas bisedimeve të jashtëzakonshme të aleancës ushtarake perëndimore të mbajtur me kërkesë të Ukrainës, e cila nuk është anëtare e NATO-s.
“Të gjithë aleatët shprehën mbështetje të plotë për integritetin territorial dhe sovranitetin e Ukrainës”, shtoi ai. “Nuk ka asnjë justifikim për përdorimin e forcës ushtarake kundër anijeve ukrainase dhe personelit detar, kështu që ne i bëjmë thirrje Rusisë për lirimin menjëherë të detarëve ukrainas dhe anijeve që kanë marrë dje”.
Stoltenberg tha se Rusia duhet gjithashtu të lejojë të gjitha anijet tregtare të kenë qasje të plotë në portet e Ukrainës. Ai përmendi sanksionet ekonomike të vendosura tashmë nga Perëndimi mbi Rusinë, gjatë aneksimit të vitit 2014 të gadishullit të Krimesë, në Ukrainë dhe mbështetjes së saj për rebelët separatistë, që u ndeshën me forcat e Kievit në Ukrainën lindore.
“Ne po ndjekim dhe monitorojmë situatën shumë afër dhe ne vazhdimisht vlerësojmë se çfarë mund të bëjmë më shumë, sepse Rusia duhet të kuptojë se veprimet e saj kanë pasoja. Kjo po përshkallëzon situatën në rajon dhe konfirmon një model të sjelljes që kemi parë gjatë disa viteve”, tha Stoltenberg.
Top Channel