Grupet ambientaliste bllokojnë sërish urat e Londrës, kërkojnë ndryshim të politikave mjedisore

24/11/2018 00:33

Grupe ambientaliste kanë bllokuar për tre ditë rresht urat e Londrës me kërkesën për ndryshime drastike të politikave mjedisore. Demonstruesit kanë dalë nëpër rrugë çdo ditë që prej së mërkurës, por ndërkohë, shkruan në Twitter se kërkojnë thellësisht ndjesë për çrregullimet e trafikut.

Në të njëjtin rrjet social, disa nga përdoruesit shprehën përkrahje për protestën, por pati edhe plot të tjerë që nuk e fshehën zemërimin me ngërçin që i sjell kjo nismë qarkullimit në qytet.

Policia duhet të jetë pak më aktive me këta njerëz, shkruan njëri prej tyre. I përkrah protestuesit, thotë një tjetër, por nuk e kanë zgjedhur mirë vendin për organizimin e saj. Aktivistët kanë bllokuar pesë ura mbi lumin Tamiz në qendër të qytetit, përfshirë edhe atë Westminster, të ndodhur pranë parlamentit.

“Ne kemi tre kërkesa, dhe njëra prej tyre është që qeveria të tregojë të vërtetën. Njerëzit mendojnë se ndryshimet klimaterike janë diçka që i ndodhin të tjerëve, por ndërkohë ato po i prekin që të gjithë”, u shpreh njëri prej organizatorëve.

Bllokimi i urave pason protestat e së shtunës, gjatë të cilave u arrëstuan 82 vetë. Të ashtuquajturat “tubime rebelimi” përbëjnë raundin e dytë të veprimeve “jo të dhunshme” të cilat synojnë rritjen e ndërgjegjësimit mbi kërcënimin e ndryshimeve të klimës, por edhe të politikave që duhen ndjekur, ndërsa grupet ambientaliste flasin për një “emergjencë të vërtetë ekologjike”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA