Pas thuajse 24 orësh nga nisja e zhvillimit të operacionit antidrogë, pas informacioneve në rrugë operative se një sasi lënde narkotike po transportohej me furgon në drejtim të Korçës, Policia e Shtetit jep detaje të plota.

Operacioni i koduar “Uraka 2” ka sjellë goditjen e një grupi të strukturuar kriminal që vepronte në fushën e trafikut të narkotikëve, në një bashkëveprim mes Drejtorisë Vendore të Policisë së Elbasanit dhe Forcave Operacionale të Policisë së Shtetit. Në total janë arrestuar 8 persona dhe një tjetër është shpallur në kërkim, pas sekuestrimit të 578 kg kanabis, tri automjeteve, 14 aparateve celularë dhe 5.800 euro.

Ndërhyrja e policisë nisi të mërkurën 21 nëntor, rreth orës 10 në fshatin Urakë, të njësisë administrative Rrajcë të Bashkisë Përrenjas, ku është ndaluar dhe bllokuar një automjet furgon “Iveco”, me drejtues shtetasin A.B. Brenda tij u gjetën 578 kg kanabis, që u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Por, policia bllokoi edhe dy automjete të tjera të marra me qira nga pjesëtarët e grupit në qytetin e Fierit, me të cilat shoqëronin automjetin furgon. Veç automjeteve janë ndaluar edhe shtetasit A.C. dhe E.H., të cilët drejtonin automjetet shoqëruese.

Të arrestuarit janë E.M. 27 vjeç dhe A.C. (T.) 39 vjeç nga Fieri; A.B. (42 vjeç) nga Levani; E.H. 43 vjeç dhe G.R. 42 vjeç nga Elbasani; E.Gj. 42 vjeç nga Pogradeci, A.Q. 24 vjeç nga Korça dhe L.D. 34 vjeç nga Tirana. Në kërkim u shpall shtetasi A. M., banues në Elbasan. Ata akuzohen tashmë për “trafikim të narkotikëve” dhe “grup të strukturuar kriminal”, vepra për të cilat do të procedohen nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda në kryeqytet.

Top Channel