Buxheti i rritur për arsimin dhe reforma me tekstet shkollore nuk e ka zgjidhur problemin e pasaktësive të rënda që gjenden në këto tekste. Gjeografia për shkollat 9 vjeçare është e mbushur me pasaktësi të renda shkencore dhe me shifra që nuk kanë asnjë lidhje me studimet dhe statistikat zyrtare.
Libri i gjeografisë i klasës së nëntë, nuk duhet të shkojë tek nxënësit. Duke nisur nga ndarja e kapitujve, varfëria gjuhësore, fjalitë pa kuptim deri te pasaktësirat shkencore të shumta, përmbajtja e këtij teksti shkollor i miratuar nga Ministria e Arsimit është problematik, fakton profesori i Gjeografisë, Gjovalin Gruda me 40 vjet karrierë, pasi deformon njohuritë për brezin e ri. Një nga gabimet e patolerueshme është dhe mosha e trojeve shqiptare.
“Trualli i Shqipërisë bën pjesë ne trojet më të reja të Europës, në rregull… kur vjen këtu tani e hedh poshtë ‘rreth 600 milionë vjet më parë’. Kjo nuk ekziston në mënyrë kategorike, sepse të gjithë kontinentet dhe gropat oqeanike fillojnë nga Pangea, nga megakontinenti që është para 250 milionë vitesh”, u shpreh Gjovalin Gruda, profesor i Gjeografisë.
Si dhe ky tekst mësimor i prodhuar në 2018, nuk ka të përditësuara informacionet, por bazohet në studimet e vitit 2011, në një kohë kur ato kryhen vit pas viti.
“Shumica e popullsisë banon në qytet me 53.7%, përkundrejt 45.3% në fshat. Diagnostimi e jep 58% në qytet dhe 42% në fshat. Pra, një ndryshim goxha”. “Po këtu ke për liqenet, janë rreth 230 liqene, në fakt janë 247 liqene te pasuritë ujore klimatike të Shqipërisë. Liqenet artificiale me sipërfaqe tërësore 40 km2, kur vetëm Fierza është 72.6 km2”, tregon Gjovalin Gruda.
Mangësitë nuk përfundojnë me kaq.
“Arrin bëhet gabimi deri aty saqë ngatërrohet ku bashkohet Osumi me Devollin, thuhet në hyrje të Beratit, për lumenjtë thuhet në dalje ,jo në hyrje, po vendi i bashkimit është në fshatin Arrëz dhe është rreth 14 km në veri perëndim të këtij qyteti”, shton profesori i Gjeografisë.
Në përmbajtjen e këtij libri spikatin sidomos problemet fiziko-gjeografike, që janë baza e edukimit të nxënësve, ndaj ky tekst duhet rishkruar medoemos. Pasi edhe mësuesi shpjegon brenda kornizës së tekstit mësimor.
“Edhe mësuesi të jetë i mirë, me këto mangësira s’ka ca bën, sepse nuk del dot nga teksti. Është tekst i miratuar nga Ministria e Arsimit. Le që edhe mësuesi nuk i ka kapur këto probleme, se po t’i kishte kapur ka 2 muaj që ka nisur shkolla. Pse nuk kanë bërë kërkesë? Pse nuk kanë pasur një farë reagimi?”, tha Gjovalin Gruda, profesor i Gjeografisë.
Top Channel