Përplasjet e dhunshme mes dy fiseve shkodrane, Barjët dhe Licët, njerëz të vrarët dhe të ngujuarit në lagjet Kiras dhe Dobraç, ishte fokusi kryesor i emisionit të Top Story.
Top Story udhëtoi në Dobraç, në fshatin aty ku jetojnë Bajrat dhe në Kiras aty ku influenca e Licëve është e tepër e fortë, fise këto të kthyer tashmë në kryefjalën e të gjitha mediave belge dhe shqiptare prej muajsh të tërë.
Në këto dy lagje mbizotëron frika, njerëzit refuzojnë të flasin para kamerave. Duken si dy zona të marra peng nga familjet e forta të Shkodrës. Pikërisht në këto dy lagje, janë ekzekutuar mbi 20 persona, përgjatë 20 viteve të fundit.
Familja Lici është e ngujuar në një ndërtesë me mure të lartë, për ti shpëtuar sulmeve me snajper. Ndërsa në lagjen e Bajrëve, gjithçka monitorohet me kamera.
Në 5 shtator të këtij viti, policia ndërmerr një aksion në lagjet Dobraç dhe Kiras ku sekuestron municione dhe armë. Në sytë e publikut dhe ekspertëve të sigurisë, ky aksion nuk ishin veçse një bllof i madh, në lumin e akuzave për mosveprim nga policia.
Teksa klima politike tensionohej me akuza dhe kundër akuza, në Dobraç do të zhvillohej edhe një tjetër aksion policor. Forcat speciale mësynë në Dobraç në 15 Shtator, por dështuan. Një nga një, Renea dhe FNSH dolën nga Dobraçi me duar në xhepa. Top Story mëson se ky aksion është mbajtur i fshehur nga Policia e Shtetit, duke mos dërguar asnjë njoftim për shtyp, asnjë detaj për gazetarët.
Pikërisht në këtë dite, Behar Bajri ndodhej ende në Shqipëri, por, ai u largua nga vendi pa asnjë pengesë për tu vënë në pranga nga autoritetet holandeze pas disa ditësh. Kjo mbetet një nga pistat, që të ngjall dyshime për aksionet e Policisë së Shtetit.
Pas këtij dështimi, goditja e radhës nuk do të vononte dhe duket se këtë herë deçizive ishte ndërhyrja e vendeve partnere. Më 21 Shtator, 11 persona u arrestuan në një aksion të përbashkët mes Shkodrës, Tiranës dhe Roterdamit në Holandë, të gjithë, pjesëtarë të familjes Bajri apo të afërm të tyre.
Top Channel