Ndonëse industria e bixhozit është ende e ligjshme, shumë subjekte konstatohen se e ushtrojnë aktivitetin në informalitet.
Sipas raportimeve të policisë, vetëm gjatë dy javëve të fundit, 11 persona janë proceduar penalisht për organizim të paligjshëm të lojërave në fatit.
Në Tiranë, policia zbuloi një garazh automjetesh, i cili ishte kthyer në një sallë kumari. Policia sekuestroi një tavolinë pokeri, ndërsa në një lokal tjetër u sekustruan 3 kompjutera pa leje.
Po gjatë këtyre ditëve janë bllokuar edhe 8 makineri elektronike në Lezhë, Tropojë dhe Kurbin. Bixhozi ilegal, me sa duket ka shtrirje në të gjithë vendin, pasi sipas raportimeve të vet policisë, raste janë zbuluar edhe në Sarandë, Delvinë dhe Gjirokastër.
Organizimi i lojërave të fatit në mënyrë të paligjshme cilësohet kundërvajtje penale, e sipas Kodit Penal dënohet me gjobë ose burgim deri në 3 muaj.
Qeveria ka lajmëruar se, duke nisur nga 1 janari i vitit 2019 bastet sportive do të mbyllen, ndërsa kazinotë do të dalin jashtë qendrave të banuara.
Por, sipas ekspertëve, ky vendim do të nxisë rrjedhimisht edhe më shumë informalitetin e kumarit të paligjshëm, që është i pranishëm edhe sot, kur bixhozi gëzon statusin e një biznesi të ligjshëm.
Top Channel