Arkimed Lusha, i njohur ndryshe si Stresi, është lënë në burg nga Gjykata e Tiranës.

Arkimed Lusha ose i njohur me emrin e artit si Stresi do të vazhdojë të qëndrojë në qelitë e paraburgimit, jo me një, por me dy masa arresti.

Këtë fakt e ka konfirmuar Gjykata e Tiranës gjatë ditës së premte, e cila pasi konfirmoi masën e sigurisë “arrest me burg” që kishte marrë paraprakisht për Lushën, caktoi edhe një masë tjetër “arrest me burg” për një tjetër pistoletë që është gjetur në momentin e arrestimit të Stresit në ambientet e një hoteli në periferi të kryeqytetit.

Nga shqyrtimi rezultoi se përgjimet që janë përdorur si provë ndaj Stresit, kryheshin nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për llogari të të ashtuquajturit grupi i Bajrit në Shkodër, ku Stresi, gjatë një komunikimi telefonik, është shprehur se “atë e hodha sapo pashë që erdhën të zinjtë”.

Sipas prokurorisë, Stresi në këtë bisedë i referohet pistoletës që policia gjeti në një lokal pranë gjimnazit “Partizani” në korrik të këtij viti, nga ku Stresi ishte larguar sapo kishte parë policët.

Ndërkohë, avokati i tij ka kundërshtuar të dyja rastet, duke pretenduar se policia në asnjë rast nuk i ka gjetur pistoletë në trup klientit të tij. Madje, për arrestimin e fundit, avokati ka shfrytëzuar pamjet e publikuara nga policia, jo vetëm duke i cilësuar të paligjshme, por edhe si provë në favor të klientit të tij.

Avokati Marash Ibraj tha: “Mediat kanë transmetuar pamjet e arrestimit të klientit tim thuajse nudo. Atëherë, unë pyes se ku e ka patur armën klienti im, pasi armëmbajtja pa leje nënkupton të ta gjejnë armën ty. Ai ishte lakuriq”.

Masa e arrestit pritet të ankimohet nga avoakti i Arkimed Lushës brenda afatit të parashikuar në ligj.

 

  Stresi u arrestua në shtrat (Video)

Top Channel