Autoritetet në Prishtinë po avancojnë legjislacionin për ndryshimin e mandatit të Forcës së Sigurisë, me synimin që ajo të shndërrohet në ushtri të Kosovës.
Partitë politike e kanë kërkuar këtë, pasi janë shuar shpresat se transformimi i Forcës së Sigurisë mund të arrihet me ndryshimet kushtetuese të kërkuara nga ndërkombëtarët, por që kundërshtohen nga Beogradi dhe nga deputetët serbë.
RTV Dukagjini ka siguruar dokumentet, ku tregohet se FSK do të ketë deri në 5 mijë pjesëtarë aktiv, ndërsa 3 mijë të tjerë mund t’i ketë rezervë.
Tri draft-ligjet që i shtojnë kompetenca Forcë së Sigurisë së Kosovës, e të cilat u miratuan në komision parlamentar, theksojnë se kjo forcë do të ketë 8 mijë pjesëtarë, prej të cilëve 5 mijë mund të jenë aktiv dhe 3 mijë rezervë.
“FSK përbëhet nga një komponentë aktive prej jo më shumë se pesë mijë (5000) pjesëtarë dhe nga një komponentë rezervë prej jo më shumë se tre mijë (3000) pjesëtarë”, thuhet në nenin 23 të projektligjit për Forcën e Sigurisë së Kosovës.
Trupat, që do të kenë mision, mbrojtjen e integritetit territorial, qytetarët, pronën dhe interesat e Republikës, do të jenë e pajisur me armë dhe sisteme të armatimit, në përputhje me nevojat FSK-së, për përmbushjen e kompetencave dhe detyrave të saj.
Në këto projektligje, nuk specifikohet armatimi që do të ketë në dispozicion, por që thuhet se është e ndërtuar sipas standardeve të ndërveprueshme me NATO.
Neni 10, flet për forcën që FSK mund të përdor, e që mund të jetë vdekjeprurëse.
“Përdorimi i forcës, duke përfshirë forcën vdekjeprurëse, përfshin përdorimin e të gjitha armëve, sistemeve të armëve dhe mjeteve Në misione jashtë vendit përdorimi i forcës bëhet sipas rregullave të angazhimit të miratuara nga Kuvendi i Kosovës, në zbatim të misionit të caktuar në përputhje me legjislacionin e brendshëm dhe atë ndërkombëtar”, thuhet në ligj.
Top Channel