Qendra Rajonale për Inovacionin dhe kërkimin në fushën e teknologjisë, pjesë e rrjetit të qendrave të mbështetura nga Forumi Ekonomik Botëror, do të vendoset në Tiranë.
Kryeministri Rama ishte në Gjenevë të Zvicrës ku mori pjesë në takimin “Dialogu Strategjik për Ballkanin Perëndimor”, organizuar nga Forumi Ekonomik Botëror. Në një prononcim për mediat, Rama foli edhe për vendimet e marra që prekin Shqipërinë.
“Unë kam kënaqësinë të informoj se është vendosur që qendra e afiluar e të ashtuquajturit revolucion i katërt industrial do të jetë në Tiranë, qendra rajonale që do të shërbejë si një pikë referimi për inovacionin, për kërkimin në fushën e teknologjisë dhe do të jetë pjesë e rrjetit të këtyre qendrave të mbështetura nga Forumi Ekonomik Botëror në San Francisco dhe në vende të tjera, që do të sjellë një vlerë të shtuar, besoj, në një proces ku Shqipëria dhe rajoni kanë hyrë, që është procesi i digjitalizimit dhe i inovacionit.”, u shpreh Rama.
Dialogu strategjik për Ballkanin Perëndimor kishte në fokus të tij nxitjen e bashkëpunimit mes vendeve të rajonit dhe është në vazhdën e një procesi të nisur në Davos në kuadër të Forumit Ekonomik Botëror.
Top Channel