Një vit më pas, Katalonja përkujton referendumin për pavarësi

01/10/2018 22:14

Aktivistë të shumtë bllokuan linjat hekurudhore, studentët braktisën shkollat e universitetet, ndërsa mbështetës të shkëputjes së Katalonjës nga Spanja marshuan në numër tejet të shumtë gjatë kësaj të hëne për të shënuar përvjetorin e referendumit, që ishte pjesë e përpjekjes së dështuar për pavarësi gjatë vitit të kaluar.

Marshimi i pasdites në Barcelonë, në kryeqytetin e rajonit verilindor të Spanjës, mblodhi dhjetëra mijëra njerëz dhe kulmoi një ditë të zhurmshme dhe me demonstrata të mëdha e jo të dhunshme.

Përvjetori i asaj ngjarjeje, që shkaktoi edhe krizën më të rëndë politike në Spanjë prej dekadash, u shënua nga një lëvizje e copëzuar katalanase për pavarësi, mes bisedimeve delikate mbi të ardhmen e rajonit me qeverinë socialiste të qëndrës së majtë të mbretërisë.

Referendumi i 1 tetorit të vitit të kaluar në Katalonjë, i përcaktuar si i paligjshëm nga Gjykata Kushtetuese, u ndalua nga policia spanjolle dhe dështoi në synimin e saj për të prodhuar atë që pritej të ishte një shtet më vete katalanas. Për shumë katalanas, votimi u bë simbol i betejës prej vitesh e vitesh për vetëvendosje.

Në përkujtimin e njëvjetorit, aktivistë në mbarë rajonin bllokuan rrugët dhe autostradat kryesore, ndërsa studentë gjimnazesh dhe kolegjesh bojkotuan mësimin, duke mbajtur edhe fjalime emocionuese në protestat masive.

Mijëra studentë parakaluan me një parullë të gjerë sa rruga, ku lexohej: Nuk harrojmë, nuk falim!

Ata bënin thirrje për “lirimin e të burgosurve politikë”, një referencë e qartë ndaj udhëheqësve separatistë që ndodhen në paraburgim prej një viti, në pritje të gjykimit për rebelim apo akuza të tjera.

Pjesëtarë të qeverisë rajonale të Katalonjës u rikthyen në Sant Julia de Ramis, qyteza veriore që u bë vendi simbolik i separatistëve, sepse një vit më parë policia mësyu atje një shkollë lokale për të penguar njerëzit të votonin në referendum.

Carles Puigdemont, presidenti i Katalonjës asokohe, ishte parashikuar të votonte pikërisht atje, por iu desh të gjente një qendër tjetër votimi, kur policia shkatërroi derën e shkollës për të konfiskuar kutitë e votimit dhe përdorën plumba gome për të shpërndarë votuesit, duke plagosur disa prej tyre madje, sepse refuzonin të largoheshin.

Incidentet që u transmetuan drejtpërdrejt asokohe shtuan presionin ndaj qeverisë qendrore spanjolle, në atë kohë në duart e konservatorëve. Separatistët pretenduan fitoren për pavarësi pas atij votimi, pavarësisht natyrës së paligjshme të referendumit, ndërsa akuzuan gjithashtu policinë për dhunë dhe mungesë mbikëqyrjeje.

FOTO GALERI
2/16

Top Channel