Çdo vit, deti përparon gjithnjë e më shumë drejt tokës, duke reduktuar sipërfaqen e bregdetit të Durrësit.

Erozioni, si një nga format e degradimit të tokës, është mjaft i dukshëm në brigjet e Adriatikut, siç vihet re dhe në rrugën që lidh Porto-Romanon me Bishtin e Pallës. Brezi i rërës aty nuk është më. Bunkerët, që dikur ndodheshin në breg, tani janë disa metra larg tij e të mbuluar nga uji.

Rruga e asfaltuar së fundmi është dëmtuar në pjesë të ndryshme të saj nga deti. Vija bregdetare Durrës-Bishti i Pallës ka një gjatësi prej afro 16 km dhe, për shkak të përbërjes së saj ranore e argjilore, është tejet e rrezikuar nga veprimtaria detare, që e ka shtyrë vijën bregdetare në drejtim të lindjes në shumë sektorë të saj.

Në zonën Porto Romano-Bishti i Pallës, dukuria e gërryerjes së tokës është mjaft e dukshme. Krahas kushteve gjeoklimatike, ndikim negativ ka dhe veprimtaria e pamenduar e njeriut mbi pasojat që favorizojnë fenomenin.

Ndërtimet pa kriter në bregdet, ashtu si gërryerja e shtratit të lumejve dhe devijimi i tyre, janë kthyer në rrezik evident për ekzistencën e mjaft plazheve përgjatë Adriatikut. Ato janë kthyer në barrierë për lëvizjen e lirë të aluvioneve e sedimenteve, duke prishur ekuilibrat natyrorë në bregdet dhe rrezikuar jo vetëm plazhet, por edhe infrastrukturën rrugore, banesat dhe jetën në komunitet.

Ndërtimi i portit të karburanteve 15 vite më parë, si dhe punimet për ndërtimin e një porti të ri karburantesh në zonë, duket se po e përshpejtojnë erozionin dhe rrezikojnë të ardhmen e kësaj zone me një potencial të fuqishëm ekonomik e turistik.

Top Channel