Këtë javë në Nju Jork zhvilloi punimet Asambleja e Përgjithshme OKB-së, ku Shqipëria shpreson për një vend si anëtar jo i përhershëm në Këshillin e Sigurimit 2022-2023. Arkiva online sjell në vëmendje përpjekjet e Shqipërisë për tu bërë vend anëtar i saj. Një përpjekje 10-vjeçare që u finalizua në dhjetor të 1955.

Çështja e pranimit në OKB ka qenë ndër problemet më të rëndësishëm të pas Luftës së Dytës Botërore për Shqipërinë. Madje, në mars të 1945 qeveria e kohës kërkoi të konsiderohej si anëtare themeluese e kësaj organizate, për hr të pjesëmarrjes së popullit shqiptar në luftën antifashiste. Por fakti që vendi ynë nuk kishte vendosur marrëdhënie zyrtare dhe nuk ishte njohur akoma nga shumë shtete e pengoi këtë gjë.

Në 1946 Fuqitë e Mëdha vendosën veto ndaj Shqipërisë me argumentin e qëndrimit të qeverisë komuniste ndaj vlefshmërisë së traktateve dhe marrëveshjeve të nënshkruara mes Shqipërisë dhe shteteve anëtare të OKB-së para 7 prillit 1939 dhe çështje të tjera. Veto u përdor sërish në vitet 1947 dhe 1949 pasi qeveria e asokohe akuzohej se nuk respektonte të drejtat e njeriut në Shqipëri dhe kjo situatë u rëndua dhe nga Incidenti i Kanalit të Korfuzit.

Pas përpjekjeve dhe rekomandimit të Këshillit të Sigurimit Asambleja e Përgjithshme e OKB-së pranoi zyrtarisht më 14 dhjetor 1955, bashkë me 15 shtete të tjera. Kjo u konsiderua një hap i rëndësishëm drejt zbatimit të parimit të universalitetit të OKB, forconte autoritetin e saj dhe kontribuonte në zgjerimin e bashkëpunimit ndërkombëtar.

Që nga ajo kohë Shqipëria ka gëzuar pa ndërprerje statusin e shtetit anëtar të Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe ka dhënë kontribut të vazhdueshëm në të mirë të paqes, mirëkuptimit dhe zgjidhjes së problemeve ndërkombëtare me mjete paqësore.

FOTO GALERI
1/3

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA