Hetim për kumarin. Policia kërkon verifikim pasuror për Besnik dhe Gramoz Muratajn

17/09/2018 20:15

Departamenti Qendror i Hetimit referon në prokurori materialet për hetim pasuror në ngarkim të shtetasve Besnik dhe Gramoz Murataj.

Sipas Partisë Demokratike, këta shtetas, vëllezër me njëri-tjetrin, zotërues të pjesës dërrmuese të aksioneve të kompanisë ITSGA, mbulojnë në të vërtetë aktivitetin e Agron Xhafajt, vëllait të ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, në biznesin e lojrave të fatit.

Në referimin e dorëzuar këtë të hënë në Prokurorinë e Tiranës, siguruar nga Top Channel, policia kërkon regjistrimin e procedimit për vëllëzërit Murataj si dhe lëshimin e urdhrave për një sërë veprimesh që lidhen me hetimin e mjeteve financiare, pasurive, veprimtarive ekonomike etj., që dyshohet se rrjedhin nga aktiviteti kriminali i këtyre personave.

Po në referim kërkohet autorizimi i Policisë Gjyqësore që të ketë akses në zyrat e administratës për shqyrtimin e dokumentave të vlefshëm gjatë hetimit.

Besnik dhe Gramoz Murataj rezultojnë të dënuar në Itali për trafik droge. Sipas Partisë Demokratike, ato janë gjykuar dhe dënuar në të njëjtin grup ku bënte pjesë dhe vëllai i Fatmir Xhafës. Referimi i policisë vjen pas akuzave të opozitës, sipas së cilës kjo kompani, që realisht zotërohet nga Agron Xhafaj, vitet e fundit është favorizuar nga shteti duke zgjeruar aktivitetin në treg.

Top Channel