Botërori i volejbollit, fitojnë Italia, Holanda e SHBA

16/09/2018 11:47

Italia vijon pa asnjë problem rrugëtimin e saj në Botërorin e volejbollit për meshkuj. Skuadra e “të kaltërve” regjistroi fitoren e tretë, në po kaq ndeshje të këtij kompeticioni, teksa mposhti Argjentinën 3-1 dhe tashmë kryeson grupin A me 9 pikë të plota.

Fillimi i takimit ishte më i mirë për amerikano-latinët, që fituan setin e parë 25-22. Italia u kundërpërgjigj në setin e dytë, që e fitoi me lehtësi 25-15, ndërkohë që vuajti më shumë në dy setet pasardhës, që i mbylli 25-23 dhe 28-26 në favorin e saj.

Në grupin B bie në sy fitorja e Holandës ndaj Brazilit me rezultatin 3-1, një sukses ky që skuadra e “tulipanëve” e arrin pas 52 vitesh. Brazili fitoi setin e parë 25-21, por më pas gjithçka foli për skuadrën holandeze, që fitoi 3 setet e tjera 25-20; 25-20 dhe 25-21, e tani e sheh veten në vendin e tretë të klasifikimit në kuotën e 6 pikëve, duke lënë pas brazilianët.

Në grupin C, SHBA mposhti edhe Rusinë me rezultatin 3-1 dhe tani kryeson grupin me 7 pikë, po aq sa dhe Serbia e vendit të dytë. SHBA fitoi setin e parë 25-23, por Rusia barazoi rezultatin duke fituar të dytin 25-20. Setet 3 dhe 4 shkuan sërish për amerikanët, që i mbyllën ato me rezultatin 25-23 dhe 25-20.

Fitore shënoi edhe Polonia në grupin D. Kampionët e botës në fuqi mposhtën Finlandën me rezultatin 3-1 dhe e shohin veten në krye të klasifikimit të këtij grupi me 9 pikë. Polakët fituan setin e parë 25-20, por humbën të dytin 28-26. Seti i tretë dhe i katërt ishin një formalitet për Poloninë, që i dominoi ato duke i fituar 25-16 dhe 25-15.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA