Avioni i parë i “Air Albania” ulet në Rinas, Rama: Nisi një epokë e re

14/09/2018 19:30

Avioni i parë i “Air Albania”, kompania e parë ajrore shqiptare, u ul pasditen e së premtes në aeroportin e Rinasit, Airbus 319, që si stemë ka flamurin shqiptar.

Fluturimet e para do të jenë drejt Stambollit, ndërsa “Air Albania” do të ketë destinacione të tjera në qytetet kryesore europiane si Roma, Londra apo Milano.

Në qershor të këtij viti, qeveria nisi procedurat për krijimin e shoqërisë “Air Albania”. Tre ortakët e saj janë “Albcontrol” me 10%, që përfaqëson palën shqiptare, dhe dy subjekte të tjera, “Turkish Airlines” dhe “MDN Investment”, përkatësisht me 49 dhe 41%. Sipas qeverisë, krijimi i kompanisë “Air Albania” do të ofronte më shumë mundësi për fluturime “low cost” nga Shqipëria.

“Me meritë, pa paterica pushteti, “Air Albania” mban flamurin shqiptar dhe përfaqëson çdo shqiptar. Në fokus do të jetë udhëtari dhe nevojat e tij”, u shpreh Drejtoresha e Albcontrol, Belinda Balluku.

I pranishëm në ceremoninë e inaugurimit në Rinas ishte edhe Kryeministri Rama, i cili e vlerësoi kompaninë ajrore me flamurin shqiptar, si një ëndërr të bërë realitet.

“Është një emocion tejet i veçantë për mua, por jo vetëm për mua që sot mes miqsh, bashkëpunëtorësh dhe partnerësh, përmbushim jo thjesht një zotim, por një ëndërr të kahershme, e cila dukej e pamundur për vite të tëra, kompaninë ajrore të flamurit kuqezi. Është një ëndërr që sot merr krahë për të filluar një fluturim që do të jetë i gjatë. Por synimi ynë është që t’i çojë shqiptarët sa më larg dhe t’i ndërlidh ata sa më shumë. “Air Albania” është një vepër kuqezi, kombëtare, një fryt i arrirë në këtë që për ne është viti i Gjergj Kastriotit. “Air Albania” do të ishte ose s’do të ishte, por ideja për ta kthye në liri për shqiptarët dhe mundësi reale që ata ta kenë këtë kompani zgjedhjen e tyre të parë, mbetet ambicia jonë. Tashmë kemi nisur rrugën e një epoke të re”, u shpreh Rama.

FOTO GALERI
6/6

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA