Turqi, Erdogan: Shitblerja e pronave apo qiradhënia, vetëm me lira dhe jo valutë

13/09/2018 10:42

Në një përpjekje të re për të mbështetur monedhën vendase, presidenti turk Recep Tayyip Erdogan ka vendosur që shitjet e pronave apo marrëveshjet e qiradhënies së tyre të bëhen vetëm në lirën turke, duke i dhënë fund kështu lejimit të marrëveshjeve të tilla në valuta të huaja.

Vendimi, i botuar në “Fletoren Zyrtare” të Turqisë gjatë së enjtes, thotë se kontratat e shitjes dhe marrëveshjet e qiradhënies në valuta duhet të konvertohen në lirën turke brenda 30 ditëve. Në të përfshihen edhe kontratat për biznese apo shërbime.

Shitjet apo qiradhëniet e pasurive të patundshme në valutë janë të zakonshme në Turqi, veçanërisht në sektorin e shitjeve me pakicë. Lira, ndërkohë, ka humbur rreth 40 për qind të vlerës së saj kundrejt dollarit amerikan gjatë këtij viti, në vazhdën e shqetësimeve për ndërhyrjen e Erdoganit në politikat monetare dhe një ngërçi diplomatik mes Turqisë dhe Shteteve të Bashkuara.

Erdogan, i cili është deklaruar armik i normave të larta të interesit, e ka quajtur krizën e lirës turke si një “luftë ekonomike” ndaj Turqisë, ndaj i ka nxitur vazhdimisht turqit që të shesin të gjitha kursimet e tyre në dollarë për t’i kthyer në lira.

Banka Qendrore e Turqisë zhvilloi një takim të enjten dhe pritet që të rrisë normat e interesit në mbështetje të lirës, ndërkohë që nuk e bëri diçka të tillë përkundër pritshmërive në takimin e fundit të muajit korrik. Që prej atëherë, lira ka humbur rreth 25 për qind të vlerës së saj, ndërsa treguesit e javës së kaluar flasin se inflacioni vjetor u rrit në 17.9 për qind gjatë gushtit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA