Presidenti Vladimir Putin premtoi gjatë së enjtes të forcojë maksimalisht ushtrinë dhe të vendosë në dispozicion të saj armë të gjeneratës së re, teksa udhëtonte për të mbikëqyrur nga afër stërvitjen më të madhe luftarake të Rusisë, që prej shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik.
Stërvitja “Vostok 2018” (Lindja 2018) po zhvillohet në Siberinë lindore, shumë pranë kufirit me Kinën, dhe përfshin 300 mijë trupa ruse, sikurse edhe stërvitje të përbashkëta me ushtrinë kineze.
“Kjo është hera e parë që ushtria dhe flota jonë po ndërmerr një stërvitje kaq të vështirë dhe të kësaj shkalle madhore”, tha Putin, në komentet e publikuara edhe nga faqja e internetit e Kremlinit.
Stërvitja, që përfshin mbi 1.000 avionë luftarakë dhe deri në 36 mijë tanke, vjen në mesin e marrëdhënieve të tensionuara mes Rusisë dhe Perëndimit, tension që ka kapur nivelet më të ulëta që prej periudhës së Luftës së Ftohtë.
Duke folur përpara një grupi ushtarësh, Putin tha se Rusia ishte një vend paqësor, i gatshëm për bashkëpunim me cilindo shtet të interesuar në partneritet të përbashkët, por se është detyrë e një ushtari të jetë i gatshëm të mbrojë vendin e tij dhe aleatët tanë.
“Për këtë arsye ne do të vazhdojmë t’i përforcojmë edhe më shumë Forcat tona të Armatosura, t’i furnizojmë ata me armët e pajisjet e teknologjisë së fundit, si dhe të zhvillojmë partneritete ndërkombëtare ushtarake”, deklaroi Putin.
Top Channel