“Dita Kombëtare” e Katalonjës, një milion vetë në “marshimin pa fund”

12/09/2018 10:30

Rreth një milion njerëz dolën në rrugët e Barcelonës të martën, për të shënuar “Ditën Kombëtare” të Katalonjës, duke shfaqur sërish mbështetjen e pakufizuar për pavarësi. Festimi i përvitshëm është i pari që pas përpjekjes së dështuar të Katalonjës për t’u mëvetësuar nga Spanja, tetorin e vitit të kaluar.

Një “det” protestuesish që mbanin veshur bluza të kuqe dhe flamuj verdhekuq katalanas u binin daulleve, vërshëllenin dhe thërrisnin në kor parulla mbështetjeje. Pjesëmarrja këtë vit ruan thuajse të njëjtën numër si vitin e kaluar.

Presidenti rajonal i Katalonjës, Quim Torra, dhe paraardhësi i tij Carles Puigdemont – i cili u largua në ekzil drejt Belgjikës pas tentativës së dështuar për pavarësi, – u kanë bërë thirrje njerëzve të dalin e të demonstrojnë. Në fund të mitingut, Torra theksoi se “sapo kemi nisur një marshim të pafund”.

“La Diada”, që përkujton ditën kur Barcelona ra në duart e ushtarëve të Mbretit Philip V në vitin 1714, përgjatë 8 viteve të fundit është shfrytëzuar si momenti i duhur për të organizuar mitingje pro pavarësisë.

Ky është i pari organizim i tillë që kur Katalonja zhvilloi referendumin për pavarësi më 1 tetor 2017 dhe shpalli më pas në mënyrë të njëanshme pavarësinë më 27 tetor. Por, përpjekja dështoi pasi Gjykata Kushtetuese spanjolle e konsideroi të paligjshme këtë lëvizje të separatistëve, ndërsa Madridi zyrtar rivendosi sundimin e drejtpërdrejtë mbi rajonin e pasur.

Gjithsesi, kundërshtarët e tyre akuzojnë se “La Diada” po uzurpohet për qëllime dashakeqe, pasi pavarësia e Katalonjës nuk mbështetet nga të gjithë katalanasit.

“Katalanasit duhet të festojnë ditën kombëtare dhe jo të thirrjen për pavarësi që bëhet nga më pak sesa gjysma e popullsisë”, tha ministri i Jashtëm spanjoll, Josep Borrel, i cili edhe vet është katalanas. Megjithatë, sondazhet e opinionit publik në korrik treguan se 46.7 për qind e katalanasve janë pro pavarësisë, ndërsa 44.9 për qind e kundërshtojnë mëvetësimin nga Madridi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA