Më shumë se një milion banorë që jetojnë përgjatë bregdetit të Karolinës së Jugut dhe Virxhinias janë urdhëruar të largohen nga shtëpitë e tyre, teksa pjesë të tëra të Amerikës buzë Atlantikut pritet të përballen me atë që pritet të jetë stuhia më e fuqishme ndonjëherë që ka goditur rajonin.
Uragani “Florence” pritet të shoqërohet me erëra potencialisht katastrofike, përmbytje dhe batica detare. Meteorologët parashikojnë se uragani do të prekë tokën në pjesën e dytë të së enjtes.
I vlerësuar aktualisht si stuhi e kategorisë së katërt, shkalla e dytë më e fuqishme në sistemin e klasifikimit të Shërbimit Kombëtar të Motit (NWS), “Florence” mund të jetë stuhia e parë e kësaj magnitude të regjistruar ndonjëherë në histori, që godet brigjet lindore e që do të shtrihet deri në veri, nëse ruan gjurmën e parashikueshme të lëvizjes së saj.
Në njoftimin më të fundit këshillues, Qendra Kombëtare e Uraganëve (NHC) në SHBA tha se stuhia pritet të jetë ekstremisht e rrezikshme, veçanërisht gjatë së enjtes.
“Florence është jashtëzakonisht i madh dhe i fuqishëm, sigurisht që nuk ekziston asgjë që mund ta frenojë atë”, tha guvernatori i Karolinës së Jugut, Henry McMaster në konferencën për shtyp të së hënës. “Kur të godasë ujërat e ngrohta të gjirit, pritet të intensifikohet edhe më shumë”.
McMaster udhëroi evakuimin e zonave bregdetare duke nisur nga pasditja e kësaj të marte. Ai tha se dallgët e detit mund të mbërrijnë deri në 3 metra lartësi, ndërsa përllogariti largimin nga shtëpitë e tyre të rreth një milion banorëve.
“E dimë se urdhri i evakuimit që po jepet sot nuk është i këndshëm”, tha McMaster. “Por, më mirë të vuajmë disi nga gjëra të pakëndshme të kësaj natyre, sesa të humben jetë”.
E për ta çdramatizuar disi situatën, sjellim në vëmendje një krahasim të “Associated Press”, sipas së cilës, hera e fundit që pjesa qendrore e brigjeve lindore ka parë një uragan përafërsisht të këtyre përmasave, Dwight Eisenhower ishte në Shtëpinë e Bardhë dhe Marilyn Monroe e Joe DiMaggio ishin të sapomartuar.
Top Channel