Kim Jong-un fton Trumpin për një takim të dytë

11/09/2018 10:27

Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong-un i ka kërkuar përmes një letre presidentit amerikan, Donald Trump, një takim të dytë mes tyre pas samitit historik të qershorit në Singapor, siç njofton Shtëpia e Bardhë, sipas së cilës po shqyrtohet tashmë përcaktimi i datës.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders tha se letra “shumë e ngrohtë” pasqyron “angazhimin e vazhdueshëm të Penianit për t’u fokusuar te denuklearizimi”. Negociatat për këtë çështje duket se kanë ngecur që prej samitit histori të dy krerëve të shteteve në Singapor.

“Qëllimi parësor i letrës ishte kërkesa për të shqyrtuar dhe programuar një takim tjetër me presidentin, gjë për të cilën ne jemi të hapur dhe kemi nisur procesin e koordinimit”, tha Sanders.

Ajo nuk dha gjithsesi asnjë detaj se kur mund të mbahet takimi i dytë mes dy udhëheqësve.

Presidenti koreano-jugor, Moon Jae-in e mirëpriti lajmin, teksa tha se “denuklearizimi tërësor i gadishullit Korean është një çështje që duhet zgjidhur përfundimisht mes Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Veriut, përmes negociatave”.

Moon ka qenë një “lojtar kyç” në ndërmjetësimin e samitit të Singaporit në qershor, ndërkohë që vet ai pritet të takohet me Kim Jong-unin në Penian javën e ardhshme, për të tretin raund bisedimesh kokë më kokë.

Letra nga Peniani vjen një ditë pasi Yukiya Amano, kreu i mbikëqyrësit bërthamor të OKB-së, paralajmëroi se aktivitetet e vazhdueshme bërthamore të Koresë së Veriut kanë shkelur rezolutat e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Inspektorëve ndërkombëtarë, ndërkohë, nuk iu është lejuar qasje në Korenë e Veriut, por Amano shtoi se ata janë të gatshëm për t’u rikthyer atje nëse arrihet një marrëveshje politike.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA