Fluturimet në një nga aeroportet e rëndësishme të Francës janë ndalur të hënën pasi policia arrestoi një person, që kishte mundur që me makinën e tij të kapërcente perimetrin e sigurisë dhe të hynte në pistë.
Policët ndoqën dhe qëlluan mbi makinën që eci për disa kilometra në korsinë e kundërt në një autostradë aty afër duke shkaktuar edhe disa aksidente, para se të kalonte rrethimin në aeroportin Saint Exupery në Lion.
Dëshmitarët okularë filmuan ndjekjen drastike të makinës në pistë deri në bllokimin e saj…moment kur edhe shoferi tentoi të largohej me vrap.
Pas incidentit, aeroporti u mbyll menjëherë dhe ndali fluturimet. Rreth 20 makina të policisë dhe xhandarmarisë, por edhe policë me motoçikleta dhe një helikopter, u angazhuan në ndjekjen e makinës.
Policia në vendngjarje tha se situata ishte e komplikuar ndërsa në aeroport pati edhe skena kaosi. Një hetim ka nisur tashmë dhe zyrtarët konfirmojnë se nuk ka pasur të lënduar nga incidenti.
Top Channel