Presidenti amerikan Donald Trump ka kërkuar këtë të premte nga Departamenti i Drejtësisë të nisë hetimet ndaj “New York Times”, pasi kjo e fundit publikoi një opinion më herët gjatë javës të shkruar nga një zyrtar anonim i administratës që vinte në dyshim kapacitetet e tij në drejtimin e vendit.
Trump tha gjithashtu se po merr në konsideratë edhe marrjen e masave ndaj medias në fjalë, aksionet e së cilës pësuan rënie pasi komentet e tij u bënë publike.
“Do ta shohim, por me atë çështje po merrem aktualisht”, u tha reporterëve të pranishëm në bordin e “Air Force One”, shefi i Shtëpisë së Bardhë.
Kryeprokurori amerikan, Jeff Sessions “duhet të hetojë se cili është autori i atij shkrimi, sepse me të vërtetë besoj se është çështje e sigurisë kombëtare”, tha më tej ai.
Trump nuk deklaroi se ç’lloj masash po merrte në konsideratë ndaj “NYT”, ndërkohë që mbetet e paqartë se mbi ç’baza ligjore mund të veprojë ai.
Një zëdhënëse e Departamentit të Drejtësisë tha se dikasteri i saj as nuk i konfirmon dhe as nuk i mohon hetimet. Ndërsa askush te “New York Times” nuk ka qenë në dispozicion për të komentuar.
Disa këshilltarë të lartë të Trumpit janë distancuar nga ai artikull, i cili u publikua të mërkurën pa emër autori, në atë që vet “NYT” e justifikoi si një lëvizje të rrallë por tepër të domosdoshme për të mbrojtur shkruesin.
Në opinionin në fjalë, autori kritikoi imoralitetin dhe stilin e udhëheqjes së Trumpit. Zyrtari në fjalë thoshte gjithashtu se, ekzistonin një sërë këshilltarësh si pjesë e një “rezistence të heshtur” brenda administratës, të cilët po punonin me përkushtim nga brenda për të penguar pjesët më shqetësuese të agjendës së tij dhe prirjet e tij më të këqija”.
Trump i ka sulmuar rregullisht mediet se fokusohen te lajmet negative mbi administratën e tij dhe dënon atë që e percepton si “fake News”. Ai ripërsëriti sërish nga bordi i “Air Force One” se beson që ligjet kundër shpifjes duhen forcuar.
Më herët gjatë javës, Departamenti i Drejtësisë njoftoi programimin e një takimi me Prokurorin e Përgjithshëm të Amerikës, për të diskutuar shqetësimet se platformat e medieve sociale po mbytin zërat konservatorë.
Top Channel