Sekretari britanik për Sigurinë e Brendshme, në një deklaratë të fundit për BBC-në ka theksuar se, Vladimir Putin duhet të marrë përsipër përgjegjësinë për sulmin me “Novichok” në Salisbury.
Sipas Ben Wallace, “përfundimisht dhe pa as më të voglin dyshim”, presidenti rus fshihet pas rastit të helmimit të ndodhur në Britaninë e Madhe në muajin mars.
Kremlini, që mohon kategorikisht përfshirjen, ka reaguar duke e quajtur “të papranueshme” të bësh një akuzë të drejtpërdrejtë ndaj lidershipit rus.
Britania e Madhe ka publikuar emrat e dy personave që besohet të jenë agjentë të shërbimit të fshehtë ushtarak rus, “GRU”, si të dyshuar kryesorë për sulmin.
Ish-agjenti i dyfishtë rus, 66-vjeçari Sergei Skripal dhe vajza e tij Yulia, 33 vjeç, u helmuan me “Novichok” më 4 mars. Një oficer britanik policie pësoi efekte shëndetësore pasi iu përgjigj menjëherë në vendngjarje incidentit.
Policia Metropolitane ka lidhur me ta edhe sulmin tjetër me “Novichok” të 30 qershorit, që çoi në vdekjen e Daën Sturgess. Prokurorët britanikë thonë se ka mjaftueshëm prova për të akuzuar dy agjentët ushtarakë, ndërkohë që zyrtarët britanikë pritet të informojnë edhe Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara mbi hetimet.
Theresa May u tha parlamentarëve gjatë së mërkurës se, të dyshuarit kishin hyrë në Britani me pasaporta ruse, duke përdorur identitetet Alexander Petrov dhe Ruslan Boshirov. Ajo shtoi se helmimi nuk ishte një operacion i rremë dhe se është thuajse e sigurtë tashmë se është miratuar nga nivelet më të larta të shtetit rus.
Britania thirri këtë të enjte mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, në të cilin Rusia është anëtar i përhershëm me të drejtë vetoje, së bashku me aleatët kryesorë të Mbretërisë, Shtetet e Bashkuara dhe Francën.
Wallace theksoi se Britania duhet ta shfrytëzojë këtë takim për të “vijuar presionin” e për të thënë se “sjellja që kemi parë është totalisht e papranueshme”.
Sipas Sekretarit të Sigurisë, qeveria e Putinit “kontrollon, financon dhe udhëzon shërbimin e fshehtë ushtarak GRU”, duke shtuar më tej se askush nuk mund të thotë se udhëheqësi rus “nuk ka nën kontroll shtetin e tij”.
Kryeministrja May është shprehur gjithashtu se Britania do të nxisë Bashkimin Europian të bjerë dakord për sanksione të reja kundër Rusisë. Përpara takimit në OKB, edhe Australia u deklarua “në të njëjtin hap bllokues të Britanisë” sa i përket rëndësisë për detyrimin e Rusisë për “llogaridhënie” mbi “aktin e rrezikshëm dhe të qëllimshëm”.
Top Channel