Britania sfidon Kinën, luftanije në ishujt e diskutueshëm “Paracel”

06/09/2018 14:10

Kina ka shprehur irritimin e saj pasi një luftanije e Marinës së Mbretërisë së Bashkuar lundroi shumë pranë ishujve të pretenduar nga vendi me ekonominë e dytë më të madhe në botë, në detin e Kinës së Jugut në fund të muajit të kaluar, duke akuzuar Britaninë për përfshirje në “provokime”, e për këtë arsye ka dorëzuar edhe një ankesë.

Luftanija amfib 22 mijë tonëshe “HMS Albion”, me një kontigjent marinarësh në bord, kaloi gjatë ditëve të fundit shumë pranë ishujve “Paracel”, sipas dy burimeve me njohuri mbi këtë çështje në kushtet e anonimatit. “Albion” ishte në rrugëtimin e saj drejt qytetit Ho Chi Minh, ku edhe u ankorua gjatë së hënës, pasi një lundrimi përreth ujërave të Japonisë.

Njëri nga burimet e “Reuters”-it tha se Pekini dërgoi për ta sfiduar luftanijen britanike një “fregatë” dhe dy helikopterë, por që të dyja palët ruajtën qetësinë kur u përballën mes tyre. Burimi tjetër thotë se “Albioni” nuk hyri në ujërat territoriale të ndonjë ishulli në rajonin tejet të nxehtë si pasojë e mbivendosjes së pretendimeve nga disa shtete, por demostroi faktin që Britania nuk i njeh pretendimet e tepërta detare përreth ishujve “Paracel”. Kjo, pasi të lundrosh në një distancë prej 12 miljes detare është një limit i njohur dhe i pranuar ndërkombëtarisht.

Ishujt “Paracel” janë të pushtuara tërësisht nga Kina, por ato pretendohen si territore vetiake edhe nga Vietnami apo Tajvani.

Ministria e Jashtme kineze, në një deklaratë dërguar për “Reuters” njoftoi se luftanija kishte hyrë në ujërat territoriale kineze përreth ishujve “Paracel” më 31 gusht, pa leje, ndaj dhe Marina kineze e paralajmëroi ekuipazhin e saj të largohej prej andej.

“Veprimet e papërshtatshme të anijes britanike shkelën ligjet kineze dhe ligjin ndërkombëtar, duke shkelur kësisoj sovranitetin e Kinës. Kina e kundërshton me forcë këtë dhe i ka paraqitur një ankesë të ashpër palës britanike për të shprehur pakënaqësinë”, shton Ministria kineze e Jashtme.

“Kina i kërkon palës britanike të ndalojë menjëherë të tilla veprime provokuese, në mënyrë që të shmangë dëmtimin e panoramës së përgjithshme të marrëdhënieve dypalëshe, sikurse edhe paqen e stabilitetin rajonal. Kina do të vazhdojë të marrë të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur sovranitetin dhe sigurinë e saj”, vijonte më tej deklarata e saj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA