Kushtetuesja, s’ka konsensus; Kuvendi dhe Presidenca përplasen me interpretime të kundërta

05/09/2018 15:22

Presidenti i Republikës nuk ndan të njëjtin mendim me Kreun e Kuvendit në lidhje me gjendjen aktuale të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, nga i cili varet edhe zgjidhja e ngërçit me Gjykatën Kushtetuese.

Të martën kryeparlamentari Gramoz Ruçi u shpreh se KED tashmë nuk ka kuorumin e mjaftueshëm për t’u mbledhur e për të funksionuar, arsye për të cilën theksoi se pret nga Presidenti Meta nëse do ta hedhë shortin apo jo shortin për të plotësuar vakancat.

“Presidenti ka detyrimin Kushtetues dhe ligjor për hedhjen e shortit. Por nëse ai nuk e ushtron këtë detyrë, do e ushtroj menjëherë unë si kryetar i Kuvendit”, u shpreh Ruçi.

Burime pranë Presidentit Meta i thanë Top Channel se Kreu i Shtetit vijon të mendojë se KED ka kuorum dhe të gjitha mundësitë që të funksionojë. Sipas të njëjtave burime, në kushtet kur kryetari i KED ra për shkak të vettingut, në gjykimin e Presidentit Meta, mbledhja e KED mund të drejtohet nga zv/kryetari. Këtë qëndrim Presidenti ia ka shprehur Kuvendit edhe në një letër-përgjigje korrikun e kaluar, ku duke cituar dispozitat ligjore, nënvizon se i takon anëtares së Gjykatës Kushtetuese, Vitore Tusha, që të drejtojë mbledhjet e KED-së me cilësinë e zv/kryetare.

Aktualisht në gjykimin e Presidentit, kjo është gjendja e anëtarëve funksionalë të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi:

Anëtarët e KED funksionale sipas Presidencës:
1. Vitore Tusha – zëvendësuese nga GJK (kaluar vetingun)
2. Enton Dhimitri – gjyqtar nga gjykatat e Apelit (në proces rivlerësimi)
3. Fatos Qato – gjyqtar nga gjykatat e Apelit (në proces rivlerësimi)
4. Fatjona Memçaj – prokurore pranë gjykatave të Apelit (kaluar vetingun)
5. Ahmet Jangulli, gjyqtar nga gjykatat administrative (në proces rivlerësimi)

Anëtarët zëvendësues funksional:
Sotiraq Lubonja nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë (në proces rivlerësimi)

Sipas Kreut të Shtetit, këta pesë anëtarë e bëjnë legjitime KED-në. Në letrën drejtuar Kuvendit, Presidenti thekson se KED mund të mblidhet e të vendosë sipas tagrit të saj mbi kandidatët për gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese, që gjithashtu është jashtë funksioni për shkak të mungesës së kuorumit. “Cdo vonesë dhe mosmbledhje është e pajustifikueshme”, shprehet Presidenti Meta, ku thekson gjithashtu se ai e ka të pamundur të hedhë një tjetër short për anëtarë të KED-së jashtë hapësirës kohore 1-5 dhjetor, që i njeh ligji për këtë.

Në këto interpretime, Presidenti ndahet edhe me socialistët. Juristët e PS-së anëtarë të Komisionit të Ligjeve i thanë Top Channel se Meta ka të drejtë kur mendon se KED ka ende kuorum, por sipas partisë në pushtet pa kaluar vettingun anëtarët e këtij organizmi nuk mund të vendosin për fatin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

Top Channel mësoi se mazhoranca do të presë të shikojë nëse pesëshja aktuale do t’i mbijetojë vettingut, gjë që do të thotë se edhe në ngërçi me Gjykatën Kushtetuese do të vijojë të qëndrojë.

Top Channel