Itali, zhduken 50 emigrantë të anijes “Diciotti”. Salvini: A nuk i kisha rrëmbyer unë?

05/09/2018 22:15

Rreth 50 emigrantë të anijes “Diciotti” janë zhdukur. Disa janë larguar nga qendra “Rocca di Papa” përpara se të niseshin drejt dioqezave mikpritëse, ndërsa të tjerë kanë humbur gjurmët me të mbërritur në qendra të ndryshme të “Caritas”-it.

Selia e kryeministrit, “Viminale” ka sqaruar se “bazuar në ligj, këta persona janë të lirë të lëvizin, kështu që nuk i janë nënshtruar mbikëqyrjes së shtetit”, ndërkohë që Salvini nuk ka ngurruar të bëjë ironinë e radhës: Po, a nuk i kisha rrëmbyer unë?

“Ishin kaq të dëshpëruar – theksojnë nënsekretarët e Ministrisë së Brendshme, Stefano Candiani dhe Nicola Molteni, – saqë kanë preferuar të heqin dorë nga ushqimi dhe akomodimi i garantuar për të shkuar kushedi se ku. Kjo është prova e disatë se, kush zbarkon në Itali jo gjithmonë ia ka mbathur nga uria dhe nga lufta, pavarësisht gënjeshtrave të së majtës dhe atyre që i përdorin emigrantët për të bërë biznes”.

“Asnjë prej këtyre personave nuk dëshiron të qëndrojë në Itali, kjo dihet – shpjegon drejtori i “Caritas”-it italian, don Francesco Soddu. – E përpara një situate mirëbesimi, herët a vonë kushdo do të kishte zgjedhur të largohej vullnetarisht”, pikërisht sepse struktura që i mirëpret nuk e ka për detyrim t’i mbajë. “Ka qenë një largim vullnetar, jo një arratisje. Largohen nga një situatë ‘paraburgimi’ dhe nuk është rasti i parë. Askush nuk dëshiron të qëndrojë në Itali”.

Emigrantët e anijes “Diciotti” që kanë humbur gjurmët, – disa nga “Rocca di Papa”, të tjerë nga Messina, ndërsa disa mbërritën në Frosinone dhe dy eritreas janë pritur në Bologna, – sipas don Soddu “mund të kërkojnë azil në Itali apo kudo tjetër, duke rinisur procedurën e hapur në strukturat tona, duke nisur nga qendra e pritjes së jashtëzakonshme Mondo Migliore”.

Ndërkohë, ka përfituar nga rasti ministri i Brendshëm, Matteo Salvini, që thumbon me një koment ironik.

“Ishin kaq shumë nevojtarë për mbrojtje, ushqim dhe strehim, saqë kanë vendosur të largohen dhe të zhduken! Si ka mundur të ndodhë kjo? A nuk i kisha rrëmbyer unë në mënyrë të paligjshme?”.

Me këtë koment, zv.kryeministri nënvizon edhe njëherë se bëhet fjalë për “konfirmimin e radhës se jo të gjithë ata që vijnë në Itali janë ‘skeletë’ që ia mbathin nga lufta dhe nga uria”. Ndaj, ai zotohet se do të punojë gjithnjë e më shumë për të ndryshuar ligjet e gabuara dhe për të zeruar ardhjet e reja.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA