Avionë izraelitë kanë shënjestruar pozicione ushtarake në Siri gjatë së martës, sipas një raportimi të agjencisë shtetërore siriane “SANA”, por sistemi sirian i mbrojtjes ajrore ka rrëzuar disa prej raketave.
Duke cituar burime ushtarake, “SANA” informon se avionët izraelitë kanë vënë në shënjestër “pozicionet ushtarake në provincat Tartous dhe Hama. Megjithatë, raketat e armikut morën përgjigjen e duhur dhe disa prej tyre u rrëzuan”.
Një zëdhënëse e ushtrisë izraelite refuzoi të komentonte mbi këtë raport. Megjithatë, Izraeli ka ndërmarrë dhjetëra sulme ajrore në Siri gjatë periudhës së luftës civile, kundër atyre që i konsideron si dislokime të forcave iraniane dhe militantëve libanezë të Hezbollahut, apo ngarkesave me armatime për ta, të cilët mbështesin presidentin sirian Bashar al-Assad.
Shpërthimet dhe goditjet e fundit me raketa i ka raportuar edhe Observatori sirian për të Drejtat e Njeriut, një organizatë monitoruese e luftës civile në Siri me seli në Londër. Sipas televizionit shtetëror sirian, kreu i një spitali në Masyaf ka thënë se një person kishte humbur jetën dhe 4 të tjerë ishin plagosur. Ndërsa burime spitalore nga Baniyas njoftuan për 8 të plagosur nga sulmet.
“SANA” bëri të ditur se avionët kishin fluturuar në lartësi të ulët dhe kishin ardhur nga kryeqyteti libanez, Bejruti.
Ndërkohë, këtë të martë në një bilanc të rrallë të operacioneve ushtarake izraelite, një zyrtar i lartë i vendit hebre njoftoi se Izraeli ka kryer mbi 200 sulme kundër objektivave iraniane në Siri përgjatë dy viteve të fundit.
Ishte pikërisht ministri izraelit për shërbimet informative, Israel Katz, ai që shfrytëzoi një fjalim për të dhënë detaje të përgjithshme mbi misionet në Siri.
“Mund të citoj burimet ushtarake, që thonë se në dy vitet e fundit, Izraeli ka kryer mbi 200 sulme ajrore në Siri. Duhet kuptuar rëndësia e kësaj çështjeje sa i përket ruajtjes së vijave të kuqe, parandalimit të gjërave që Irani ka bërë, po bën dhe po përpiqet të bëjë kundër Izraelit, nga territori sirian”.
Zëdhënësja e ushtrisë izraelite, e pyetur nëse konfirmonte komentet e Katz, tha se Izraeli kishte kryer vërtet rreth 200 sulme në Siri përgjatë një viti e gjysmë.
Top Channel