Trump sulmon ashpër kryeprokurorin: Punë e paqme Jeff!

03/09/2018 22:47

Presidenti Donald Trump ka bërë një tjetër sulm të jashtëzakonshëm ndaj Prokurorit të Përgjithshëm, Jeff Sessions, duke e fajësuar atë për akuzat e ngritura ndaj dy kongresmenëve, që sipas shefit të Shtëpisë së Bardhë po minojnë mundësitë e republikanëve në zgjedhjet e ardhshme të mesmandatit.

“Dy hetime të stërzgjatura të epokës ‘Obama’ ndaj dy kongresmenëve tejet popullorë republikanë kanë përfunduar me ngritje akuzash pikërisht përpara zgjedhjeve të mesmandatit, nga Departamenti i Drejtësisë së Jeff Sessions. Tashmë, dy fitore të konsideruara të lehta vihen në dyshim, sepse nuk ka më kohë. Punë e paqme Jeff…”, shkroi në Twitter presidenti, pasditen e kësaj të hëne. “…Demokratët, sigurisht asnjë prej tyre nuk votoi për Jeff Sessions, tashmë duhet ta adhurojnë atë”.

Në fakt, një senator demokrat, Joe Manchin nga Virxhinia Perëndimore votoi për Sessions kur ai u konfirmua në detyrë si kryeprokuror i Shteteve të Bashkuara, në votimin 52 pro e 47 kundër të zhvilluar në shkurt të vitit 2017.

Trump nuk përmendi emrat e kongresmenëve për të cilët po fliste. Por, muajin e kaluar, Duncan Hunter nga Kalifornia u akuzua për shpërdorim të fondeve të fushatës, ndërsa Chris Collins i Nju Jorkut u dënua për “tregti të brendshme”, mbi një informacion të shpërndarë në vitin 2017, kur Trump ishte në pushtet.

Dy kongresmenët ishin mbështetësit kryesorë të Trumpit në Dhomën e Përfaqësuesve. Hunter garon për t’u rikonfirmuar, ndërsa Collins do të tërhiqet.

Sessions, një ish-senator nga Alabama, ishte gjithashtu një nga mbështetësit e parë të Trumpit. Por, presidenti e ka sulmuar vazhdimisht atë për vendimin e marsit të vitit 2017, për vendimin për t’u tërhequr nga mbikëqyrja e hetimit për ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA