Fiziku i jashtëzakonshëm i Vladimir Putinit dhe dashuria e tij për fëmijët janë “përjetësuar” në episodin e parë të një programi të ri televiziv kushtuar aktiviteteve të përjavshme të presidentit rus.
“Moscow. Kremlin. Putin”, që u transmetua premierë mbrëmjen e së dielës në kanalin televiziv shtetëror “Rossiya 1”, sjell përmes notave të humorit edhe një krahasim, sipas të cilit “edhe kafshët e egra të pyllit ishin frikësuar nga njeriu më i fuqishëm i Kremlinit”.
Shfaqja njëorëshe u transmetua vetëm pak orë pasi mijëra njerëz marshuan në “Sheshin e Kuq” për të protestuar kundër reformimit aspak popullor të pensioneve, që kanë shkaktuar një rënie të ndjeshme të mbështetjes ndaj presidentit në nivelin më të ulët në 4 vitet e fundit.
Seriali lavdëron vullnetin e Putinit për të “marrë përgjegjësinë” për reforma “të nevojshme”, por nuk përmend aspak protestat.
Më shumë se 50 për qind e rusëve janë përgatitur të marrin pjesë në protestat kundër planeve qeveritare për të rritur moshën e daljes në pension, sipas një sondazhi të publikuar këtë të hënë nga “Levada Centre”, një kompani e pavarur me seli në Moskë.
Pas një momenti të episodit mbi qëndrimin e Putinit ndaj të rinjve, prezantuesi televiziv Vladimir Soloviev tha se “kur Putin flet me nënën e një fëmije, apo sheh në sy një fëmijë, është tejet e qartë sesa shumë i do ai fëmijët. Ai është një qëndrim human dhe më se i sinqertë kundrejt fëmijëve”.
Dmitry Peskov, zëdhënësi i Kremlinit dhe i ftuar në studion televizive, iu kundërpërgjigj moderatorit duke shtuar se, “Putin nuk adhuron vetëm fëmijët, por edhe njerëzit në përgjithësi”.
“TV Dozhd”, një kanal informativ opozitar “online”, e krahasoi shfaqjen e “Rossiya 1” me kultin e personalitetit të epokës sovjetike që ishte ngritur përreth Vladimir Leninit. Disa kritikë të tjerë shprehën mosbesim, që media shtetërore gjeti më shumë kohë për t’i kushtuar Putinit, përtej mbulimeve të përditshme mediatike ndaj presidentit.
“Rossiya 1” i kushtoi më shumë hapësirë televizive Putinit sesa të gjithë kandidatët e tjerë të marrë së bashku, në fushatën zgjedhore presidenciale të muajit mars në Rusi.
Programi pati edhe disa pamje ekskluzive të pushimeve të fundit të Putinit në Tuva, një rajon periferik në Siberi.
“Kjo është natyra e egër, ka edhe arinj atje – tha Peskov. – Truprojat janë të armatosur në mënyrën e duhur, për të qenë të gatshëm për gjithçka. Megjithatë, nëse një ari përballet me Putinin, dhe ata nuk janë aq idiotë, jam i bindur se edhe ata do të sillen në mënyrën e duhur”.
Mes lavdërimeve të pakufijshme për Putinin, pati edhe një përmendje të papritur të kritikut më të shquar të Kremlinit, Alexei Navalny. Në momentin që po transmetohej një çast nga takimi i Putinit me disa studentë në Sochi, një adoleshent i quajtur Yegor Ryabov u pa teksa mbante veshur një bluze “Navalny 2018”, të mbuluar pjesërisht nga një kapuç gri.
E çuditshme kjo, pasi Navalny, të cilit iu ndalua të garonte në zgjedhjet presidenciale, është në “listën e zezë” të medieve shtetërore. Ryabov, teksa shprehej se ai i tij ishte një akt i mosbindjes politike, tha se e kishte mbuluar bluzen gjatë kontrollit me oficerët e sigurisë së Kremlinit, por e kishte shfaqur hapur atë kur Putini u shfaq para tij.
Top Channel