Pakistani ka dështuar me grupet terroriste, SHBA ndërpret ndihmat

02/09/2018 08:19

Shtetet e Bashkuara kanë anuluar ndihmat ushtarake prej 300 milionë dollarësh për Pakistanin, për shkak të asaj që konsiderohet si dështim i Islamabadit për të ndërmarrë veprime kundër grupeve të militantëve terroristë.

Presidenti Donald Trump e kishte akuzuar edhe më herët Pakistanin se po mashtronte Shtetet e Bashkuara ndërkohë që përfitonte miliarda dollarë prej vendit të tij.

Zëdhënësi i Pentagonit, Konè Faulkner tha se ushtria amerikane mund t’i shpenzojë paratë për “prioritete të tjera urgjente”. Gjithsesi, kjo lëvizje që pret edhe miratimin nga Kongresi amerikan është pjesë e një pezullimi më të gjerë të njoftuar prej muajit janar.

Departamenti amerikan i Shtetit e ka kritikuar Pakistanin, një aleat kyç, për dështim në përballjen me rrjetet terroriste që operojnë në tokën e tij, përfshi rrjetin “Haqqani” apo talebanët afganë.

“Ende presim që Pakistani t’i godasë pa dallim të gjitha grupet terroriste”, tha Faulkner në deklaratën e së shtunës, ku shtoi se ndihma prej 300 milionë dollarësh, e cila fillimisht ishte pezulluar, duhet të përdoret diku tjetër, për shkak të “mungesës së veprimeve të vendosura nga Pakistani” në përballimin e kësaj çështjeje.

Njoftimi vjen vetëm pak ditë përpara se Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo të vizitojë Pakistanin, për t’u takuar me kryeministrin e ri të vendit, Imran Khan. Në janar, qeveria amerikane kishte njoftuar se do të ndërpriste thuajse të gjitha ndihmat për sigurinë në Pakistan.

Ndërkohë, të premten Shtetet e Bashkuara i dhanë fund edhe financimit të agjencisë për refugjatët palestinezë të OKB-së, (UNRWA), të cilën e përshkruan si “me të meta të pandreqshme”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA