Një fanatik i ISIS, i cili planifikonte të shpërthente një bombë në selinë e kryeministrisë britanike si dhe të vriste me thikë ose qëllonte me armë kryeministren Theresa May, është dënuar me burgim të përjetshëm, pasi pa e ditur kishte rënë në kurthin e shërbimeve sekrete dhe u kishte zbuluar atyre planin e tij. Komploti i tij ishte ndër 13-të tillë që u neutralizuan nga shërbimet e sigurisë që nga sulmi ndaj parlamentit në mars të 2017.
Naimur Zakarija Rahman, një 21-vjeçar nga Birmingami, por që jetonte në veri të Londrës, ishte duke ecur nëpër rrugët e kryeqytetit britanik, duke pasur me vetë një tenxhere me presion që ai mendonte se ishte bombe dhe një jelek me eksploziv në momentin kur u arrestua nga forcat e anti-terrorizmit, në nëntor të vitit të kaluar.
Fanatiku i ISIS u indoktrinua nga xhaxhai i tij, i cili është vrarë nga një sulm me dron në Siri. Ai u kap pas një hetimi nga shërbimi sekret britanik MI5, Scotland Yard-i dhe FBI-ja, të cilët i dhanë atij bombën e rreme.
Rahman i diskutoi planet për sulmin terrorist ndaj ndërtesës së kryeministrisë, Downing Street dhe sulmin me thikë dhe ekspoloziv ndaj kryeministres Theresa May, gjatë bisedave dhe kontakteve me agjentët sekret që silleshin siç njihen në zhargonin e procesit të rekrutimit si “emiret e online-it.”
Personi që hiqej si rekrutues i ISIS, ishte agjent i FBI, i cili më pas e vendosi atë në kontakt me një ekip online të shërbimit sekret britanik MI5, duke bërë që Rahmani të besonte se ishin vertetë njerëz të Shtetit Islamik.
Gjatë procesit gjyqësor Rahman pranoj fajësinë edhe për përgatitjen e një video sponsorizuese të cilën ai e filmoi për një bashkëpunëtor të tij, i cili pretendohej se donte t’i bashkohej ISIS në Libi. Gjatë procesit gjyqësore gjykatësi i çështjes i tha të pandehurit se ” ai do të kishte kohë të bollshme në burg për të studiuar Kuranin”, duke shtuar se feja Islame ishte “fe e paqes”.
Komploti i tij ishte ndër 13 të tillë që u neutralizuan nga shërbimet sekrete dhe ato të sigurisë që nga sulmi ndaj parlamentit britanik në mars të 2017-ës, ndërkohë që Britania është në nivelin më të lartë të gatishmërisë ndaj sulmeve të mundshme terroriste.
Top Channel