Presidenti amerikan Donald Trump ka kërcënuar të tërheqë Shtetet e Bashkuara nga Organizata Botërore e Tregtisë, nëse kjo trupë dështon të ndryshojë mënyrën sesi e trajton Amerikën.
“Nëse ata nuk riformatohen, do të tërhiqemi nga OBT-ja”, tha shefi i Shtëpisë së Bardhë në një intervistë për “Bloomberg News”.
Organizata Botërore e Tregtisë u ngrit për të vendosur rregulla mbi tregtinë globale dhe për të zgjidhur mosmarrëveshjet mes vendeve, por Trump, i cili vijon të këmbëngulë në politikat e tij proteksioniste, thotë se Shtetet e Bashkuara janë trajtuar në mënyrë të padrejtë prej saj.
Sipas asaj që ai ka deklaruar të enjten, marrëveshja e vitit 1994 për ngritjen e OBT-së “ishte marrëveshja unike më e keqe tregtare e bërë ndonjëherë”, edhe pse pranon se Shtetet e Bashkuara kanë fituar në disa raste gjykimesh prej saj gjatë vitit të kaluar.
Paralajmërimi i tij mbi daljen e mundshme të Amerikës nga organizata nënvizon edhe njëherë konfliktin mes politikave tregtare të presidentit dhe sistemit për tregti të lirë që mbikëqyr OBT-ja.
Ndërkohë, Uashingtoni ka bllokuar së fundi zgjedhjen e gjyqtarëve të rinj në sistemin e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve në OBT, gjë që mund të paralizojë potencialisht aftësitë e organizatës për dhënien e gjykimeve.
Përfaqësuesi amerikan i Tregtisë, Robert Lighthizer ka akuzuar gjithashtu OBT-në për ndërhyrje në sovranitetin e Shteteve të Bashkuara.
Në fakt, presidenti amerikan ka ngritur zërin mbi tregti të pandershme që kur u zgjodh në Shtëpinë e Bardhë. Vitin e kaluar, duke folur për “Fox News”, Trump tha se “OBT-ja ishte ngritur për t’iu sjellë përfitime kujtdo, përveç Amerikës”. “Ne kemi humbur thuajse të gjitha gjykimet në OBT”, do të shprehej ai.
Shtetet e Bashkuara janë përfshirë në një betejë të ashpër tregtare në disa fronte gjatë muajve të fundit. Më e madhja është ajo mes Amerikës dhe Kinës, që janë edhe dy ekonomitë më të mëdha të botës, e që po luftojnë për ndikim global.
Trump ka vendosur tarifa mbi një sërë importesh kineze, e me të njëjtën monedhë është kundërpërgjigjur edhe Kina ndaj produkteve amerikane. Por, Kina ka dorëzuar edhe një ankesë kundër tarifave amerikane në OBT, pasi siç shprehet ministri kinez i Tregtisë, “dyshohet se” Shtetet e Bashkuara po shkelin rregullat e OBT-së.
Top Channel