SHBA-Turqi do të përpiqen të zgjidhin mosmarrëveshjet

03/08/2018 09:39

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, si dhe homologu i tij turk, Mevlut Cavusoglu, kanë rënë dakord gjatë një takimi të zhvilluar të premten në Singapor, për të vijuar përpjekjet për zgjidhjen e problemeve mes dy vendeve. Lajmi konfirmohet nga Departamenti i Shtetit.

Uashingtoni ka vendosur sanksione ndaj dy prej ministrave të presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, për shkak të gjyqit dhe burgosjes së Andreë Brunson, një pastor amerikan i akuzuar si mbështetës i terrorizmit. Turqia i ka quajtur sanksionet si të papranueshme.

Pompeo u takua me Cavusoglunë në kuadër të takimit të ministrave rajonalë në Singapor. “Ata folën mbi një sërë çështjesh dhe patën një bisedë konstruktive. Ata ranë dakord për vazhdimin e përpjekjeve për të zgjidhur çështjet dypalëshe mes dy vendeve tona”, tha zëdhënësja e DASH, Heather Nauert.

Pompeo u tha reporterëve, që udhëtuan së bashku me të në Singapor, se Shtetet e Bashkuara e kishin paralajmëruar Turqinë “se ora ka kaluar dhe se është koha që pastori Brunson të kthehet në shtëpi”.

“Shpresoj ta shohin këtë gjë ashtu siç është, një demonstrim se ne jemi tejet seriozë”, tha Pompeo në lidhje me sanksionet. “Ne e konsiderojmë këtë, një nga problemet që kemi me turqit”.

“Brunson duhet të kthehet në shtëpi, sikurse duhet të kthehen të gjithë amerikanët që mbahen të burgosur nga qeveria turke. Thjesht dhe qartë! Ata po i mbajnë bashkëkombasit tanë prej një kohe të gjatë tashmë, por në fakt janë të pafajshëm”, tha më tej Sekretari i Shtetit.

“Po punojmë për të gjetur një rrugëzgjidhje. Kam shpresë se do t’ia dalim”, tha në fund Pompeo.

Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar gjithashtu lirimin e 3 punonjësve lokalë të Ambasadës, të prangosur në Turqi. Departamenti amerikan i Thesarit njoftoi sanksione ndaj ministrit turk të Drejtësisë, Abdulhamit Gul, si dhe ministrit të Brendshëm, Suleyman Soylu, ditën e mërkurë. Sipas këtij departamenti, ata kanë pasur role udhëheqëse në organizatat përgjegjëse për arrestimin dhe burgosjen e Brunsonit, një pastor i krishterë evangjalist, i cili jeton në Turqi prej më shumë se dy dekadash.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA