Trazira në Belfast pas sulmit me thikë, akte dhune ksenofobike përfshijnë edhe qytete të tjera të Britanisë
Vatikani, ndryshon radikalisht qëndrim në lidhje me dënimin me vdekje. Papa Francesku ka ndryshuar mësimet e besimit katolik për të kundërshtuar dënimin me vdekje në çdo rrethanë ndërkohë që katekizmi i kishës, që përmbledh të gjitha këto mësime, më herët nënvizonte se ai mund të përdorej në disa raste.
Tani, në mësimet e kishës thuhet, “është i papranueshëm pasi përbën një sulm mbi paprekshmërinë dhe dinjitetin e personit”. Në fakt edhe në të kaluarën Papa Françesku kishte folur kundër ekzekutimeve.
Tetorin e kaluar ai tha se politika e kishës mbi dënimin me vdekje ishte një fushë ku mësimet e saj nuk janë statike dhe mund të ndryshojnë në përputhje me shqetësimet moderne.
Teksti i katekizmit, fillimisht u ndryshua nga Papa Gjon Pali II në tetor 1992.
Më herët, në mësime thuhej se dënimi me vdekje ishte një mjet i pranueshëm, edhe pse ekstrem, i mbrojtjes së të mirës së përbashkët. Sidoqoftë, teksti i ri nënvizon se ka një rritje të ndërgjegjësimit se “dinjiteti i një personi nuk mund të humbasë edhe pasi ata kryejnë krime shumë të rënda”.
“Kisha do të punojë tani për abrogimin e dënimit me vdekje në të gjithë botën”, thuhet në një deklaratë të selisë së shenjtë. Historikisht kisha nuk i është kundërvënë dënimit me vdekje, madje as në shekullin e 20.
Në 1952, Papa Piu i XII thoshte se dënimi me vdekje nuk ishte shkelje e të drejtës universale të jetës. Papa Gjon Pali II, preferonte burgosjen në vend të ekzekutimit, atje ku ishte e mundur, ndërsa Papa Benedikti, shkruante se dënimi me vdekje mund të ishte i lejuar.
Top Channel