Gjykata e Lartë në SHBA, Trump emëron ish-gjykatësin e Bill Clinton

10/07/2018 10:42

Donald Trump e mbushi vendin vakant të Gjykatës së Lartë me një gjykatës, i cili ka qenë dikur pjesë e grupit që hetoi ish-presidentin Bill Clinton në vitet ’90.

Brett Kavanaugh, me pikëpamje konservatore, është aktualisht gjykatës Apeli. Gjatë 18 muajve të tij të parë në detyrë, Trump ka pasur mundësinë e rrallë të bëjë dy emërime në këtë gjykatë, anëtarët e së cilës caktohen për të gjithë jetën.

53-vjeçari Kavanaugh zëvendëson Anthony Kennedy, 81 vjeç, i cili njoftoi se do të dilte në pension më 27 qershor.

Emërimi i një anëtari të Gjykatës së Lartë shihet si një ndër vendimet më të rëndësishme për një president, pasi pasojat shtrihen në vite.

“Nuk ka një të dytë në Amerikë më të kualifikuar për këtë post, ose që e meriton më shumë”, u shpreh presidenti gjatë shpalljes së emrit të hënën në mbrëmje. Ai e cilësoi Kavanaugh si një “jurist të shkëlqyer që i është përkushtuar shërbimit ndaj publikut”.

I njohur si besimtar i devotshëm katolik, qëndrimi i tij ndaj një prej çështjeve më të debatueshme në Shtetet e Bashkuara, abortit, ka ngjallur shqetësime si mes demokratëve, ashtu dhe republikanëve. Ata që mbështesin të drejtat e grave për të vendosur vet për abortin mbeten të pakënaqur me një vendim të vitit të kaluar të gjykatësit Kavanaugh, që nuk i jepte të drejtë një emigranteje adoleshente, gjatë kohës që mbahej e arrestuar nga autoritetet federale, për të kryer abort.

Republikanët, që kanë aktualisht një shumicë minimale në Senat, synojnë ta miratojnë kandidaturën e tij përpara sezonit të ri të Gjykatës Kushtetuese, që çelet në tetor, dhe para zgjedhjeve të mesit të mandatit, të cilat zhvillohen në nëntor.

Top Channel