May e zëvendësoi me Jeremy Hunt, Johnson: Po e mbysni ëndrrën “Brexit”

09/07/2018 22:20

Boris Johnson ka nisur një sulm tejet të ashpër ndaj strategjisë së kryeministres Theresa May për “Brexit”-in, duke thënë përmes një letre se “ëndrra po vdes, po mbytet nga dyshimet e panevojshme”.

Në letrën e tij të dorëheqjes si Sekretar i Jashtëm, ai thoshte se kryeministrja po e udhëhiqte Mbretërinë e Bashkuar drejt një “gjysmë-Brexit”-i me “statusin e një kolonie”. Dorëheqja e tij erdhi vetëm pak orë pas largimit nga kabineti qeveritar të Sekretarit për “Brexit”, David Davis.

May u shpreh “e pikëlluar dhe disi e surprizuar” nga largimi i Johnsonit, pasi ky u duk se dha mbështetjen e tij gjatë së premtes. Sipas saj, marrëveshja e rakorduar nga kabineti pas “diskutimeve produktive” në “Chequers” do të “nderonte rezultatin e referendumit” dhe do t’i lejonte Britanisë së Madhe “të rimerrte kontrollin e kufijve të saj, të ligjeve të saj dhe të parave të britanikëve”.

Ish-Sekretari i Shëndetësisë, Jeremy Hunt është emëruar tashmë në krye të Ministrisë së Jashtme, duke zëvendësuar kështu Boris Johnsonin. Zëdhënësi i Mayt deklaroi më herët se ajo do të luftojë çdo përpjekje për ta rrëzuar atë si kryeministre, edhe nëse 48 deputetë konservatorë sa nevojiten do të kërkonin largimin e saj.

Më herët ajo u përball me kritikat gjatë një takimi të deputetëve konservatorë, shumica e të cilëve ndanin shqetësimin e Johnsonit mbi qëndrimin e saj ndaj “Brexit”-it. E nëse Johnsonin e zëvendësoi Hunt, Davis u zëvendësua më herët nga ish-ministri i Strehimit, Dominic Raab, në postin e Sekretarit për “Brexit”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA