Danimarka u largua mes lotësh nga Botërori i Rusisë teksa u eliminua me penallti nga Kroacia.
Njeriu i ndeshjes, edhe pse u eliminuan, për Danimarkën ishte Kasper Schmeichel, i cili arriti ta çojë ndeshjen te penalltitë, duke i pritur një 11-metërsh në minutën e 116. Portieri i Leicester u tregua i jashtëzakonshëm edhe te penalltitë, dukë arritur të pres dy të tilla, por sërish në fund ishte Kroacia që u kualifikua.
Peter Schmeichel, portieri legjendar i Danimarkës, është i sigurt që portën e kombëtares së tij e ka lënë në duart të sigurta, pikërisht të djalit të tij të talentuar, Kasper.
E pas ndeshjes, Peter pati një mesazh për kombëtaren e tij dhe tifozët e saj: “Kur të na thahen lotët, do ta kuptojmë se sa mirë luajtëm”.
Në të njëjtën linjë duket se është edhe djali i tij, Kasper, i cili teksa shprehet se është i zhgënjyer për rezultatin thekson se është krenar për skuadrën e atë çfarë dhanë në fushë.
“Është një ndjenjë e çuditshme. Një zhgënjim i madh, por edhe një krenari e madhe për skuadrën tonë. Jo vetëm ata 11 që ishin fushë, por për të gjithë skuadrën. Ne e patëm mundësinë, besoj se ne ishim më mirë në pjesën e dytë dhe në kohë shtesë. Nuk patëm fat, nuk mendoj se arbitri na pëlqente ne. Është e vështirë që ta pranojmë e ta themi me fjalë. Jemi tepër të emocionuar në këto momente”, u shpreh Kasper.
Top Channel