Nervat u shfaqën hapur në Australi gjatë fundjavës, ndërsa shitësit me pakicë implementuan ndalimin e përdorimit të qeseve plastike.

Mediat raportojnë se pati disa raste kur klientët sulmuan fizikisht punonjësit në supermarkete të ndryshme, ndërsa të tjerë akuzuan dyqanet se kërkojnë të përfitojnë.

Ndalimi i qeseve plastike që hyri në fuqi më 1 Korrik është pjesë e përpjekjes kombëtare për të reduktuar mbeturinat. Shitësit me pakicë në 4 nga gjashtë shtetet e Australisë gjobiten nëse i përdorin ato. Sipas OKB, më shumë se 60 vende në botë kanë implementuar ndalimin apo taksimin e qeseve plastike.

gjithsesi, ndalimi i qeseve plastike nuk duket fare i lehtë në Australi. Një nga zinxhirët më të mëdhenj të supermarketeve Woolworths e nisi këtë masë që më 20 qershor dhe ofronte çanta shumë përdorimshme për 15 cent. Por klientët u shfaqën mjaft të zemëruar nga kjo masë që e quajnë vjedhje dhe kompania vendosi ti japë falas ato deri më 8 korrik.

OKB thotë se më shumë se 8 milion ton plastikë hidhen në oqeane në vit dhe qeset janë një pjesë e madhe e tyre, prandaj kjo organizatë ka kërkuar ndalimin e plotë të përdorimit të tyre deri në vitin 2022.

Top Channel