Të gjitha zgjedhjet që janë zhvilluar 16 vjetët e fundit në Turqi i ka fituar Recep Tayyip Erdogan. Megjithatë për shkak të krizës ekonomike ka rrezik që ai t’ i humbasë zgjedhjet që pritet të mbahen më 24 qershor.
Më 24 qershor në Turqi do të zgjidhet një parlament dhe president i ri. Sipas sondazheve 45 deri 55 përqind e të pyeturve kanë thënë se duan t’ ia japin votën mbajtësit aktual të pushtetit, Recep Tayyip Erdogan. Por në të vërtetë ai mund të marrë shumë më pak vota. Hakan Bayrakçı, që ka krijuar Institutin për kërkimin e opinionit publik, SONAR, thotë se ata që janë në pushtet në Turqi kanë krijuar një atmosferë frike, dhe si pasojë gati 10 përqind e zgjedhësve nuk tregojnë hapur për kë duan të votojnë. Në sondazhe ata japin të dhëna të gabuara, prandaj thotë Bayrakçı, ka shumë të ngjarë që rezultatet e zgjedhjeve të jenë të ndryshme nga vlerat që kanë nxjerrë sondazhet.
Që prej reformës kushtetuese, që Turqia kreu më prill 2017 me anë të një referendumi, votuesit kanë të drejtë të japin dy vota. Njëra votë vendos kush do jetë presidenti i shtetit, vota tjetër cilat parti futen në parlament. Për Erdoganin, që nuk ka humbur asnjë nga zgjedhjet 16 vjet me radhë, këto zgjedhje duhet të jenë më të vështirat e karrierës së tij politike. Që prej fitores së tij të parë në zgjedhjet e 2002, partia e tij islamiko-konservatore AKP ka pasur fjalën në Turqi. Por edhe partia vetë ndodhet para zgjedhjeve të vështira për të.
Problemet në vend janë ashpërsuar
Özer Sencar krijuesi i institutit për studimin e opinionit publik, Metropoll, ndjek prej 25 vjetësh karrierën e Erdoganit. Deri tani nuk ka pasur asnjëherë fushatë më të keqe zgjedhjesh se kjo e tanishmja, thotë ai. Axhenda nuk përcaktohet më prej Erdoganit, dhe ai nuk tregon më vizione për të ardhmen. Kur prezantohet në publik ai duket pa pasion dhe i dobët. “Ai nuk ka bërë kurrë kaq shumë gabime në fjalimet e tij;” thotë Sencar. Ai ka dyshime nëse Erdogan do mbajë pushtetin apo jo.
Erdogan ka 16 vjet në pushtet dhe shihet si më i fuqishmi në politikën turke. Suksesi i tij më i madh ka qenë hovi ekonomik. Në më shumë se një dekadë të ardhurat mesatare u rritën nga 3500 në 11 mijë dollarë në vit, dhe në gjithë vendin pati një boom ndërtimesh.
Por sot ekonomia turke nuk është më në gjendje të mirë. Që prej përpjekjes për puç më korrik 2016 dhe gjendjen e jashtëzakonshme që pasoi atë, lira turke humbi gati 30 përqind të vlerës. Në vend nuk ka më investime. Besimi i tregjeve ndërkombëtare tek ekonomia turke ka rënë. Erdoganit, i cili refuzon të vendosë përqindje për arsye të bindjeve politike, iu desh të mbyllte sytë javën e kaluar kur Banka Qendrore turke rriti përqindjet. Mbas Argjentinës, Venezuelës dhe Iranit, Turqia është vendi i katërt me përqindjet më të larta.
“Kjo është hera e parë në 16 vjet kur Erdogan nuk është duke pasur më sukses. Ai nuk e drejton dot më ekonominë. Edhe problemet në sistemin e shëndetësisë dhe atë të arsimit janë shtuar,” thotë Sencar. Si pasojë populli turk është duke ndier krizën ekonomike. Prandaj shihet pak pasion në aktivitetet e Erdoganit në fushatën zgjedhore.
Opozita gjithnjë e më shumë e motivuar
Edhe Gülfem Saydan Sanver mendon se Erdogani e ka të vështirë t’ i japë mesazhe popullit të tij. Ajo është ekperte që ka mbrojtur një punim doktorues me temën “Sukseset e AKP në zgjedhje” dhe ka marrë çmimin Pollie Award der “American Association of Political Consultants”. Sanver mendon se teatri me një person që është duke bërë Erdogan në partinë e tij, i është kthyer në disfavor. “Në mitingje dhe në fjalimet që mban, ai del i vetëm dhe nuk ka më mesazhe për të dhënë”, thotë Sanver.
Ndërkohë, Muharrem Ince, kandidat për president i partisë opozitare CHP, ka arritur kohët e fundit të rrisë në sondazhe përqindjen mbi 30 përqind. Kështu është rritur motivimi i opozitës për të fituar zgjedhjet. “Erdogan mundohet tani t’ i shërbejë frikërave të zgjedhësve konservatorë,” thotë Sanver. Prandaj Erdogani ka folur ditët e fundit në fjalimet e fushatës për operacione ushtarake kundër partisë kurde PKK, në veri të Irakut. Kështu ai nxit frikën tek zgjedhësit, thotë Sanver. Zgjedhësit e frikësuar tremben nga ndryshimi i pushtetit dhe do ia japin votën presidentit aktual.
Fundi i sistemit të fortë presidencial?
Sipas sondazheve Erdogan megjithatë mund t’ i fitojë zgjedhjet presidenciale në raundin e dytë. E ashtuquajtura “aleanca republikane” që përbëhet nga AKP dhe MHP, mund të humbasë shumicën në parlament. Atëherë Erdogan nuk do të kishte më bazën e pushtetit. Sistemin e fortë presidencial në të cilin opozita shikon një diktaturë, do kthehet në ëndërr për Erdoganin.
“Nëse AKP humbet shumicën në parlament, atëherë edhe për Erdoganin do vinin ditë të vështira,” thotë Sanver. Mbas gjendjes së jashtëzakonshme Erdogan nxorri ligje dhe dekrete për të mbetur në qeverisje. “Nëse AKP nuk ka më shumicën në parlament, atëherë Erdogan do humbiste pushtetin që ka sot, edhe nëse rizgjidhet si president. Ai nuk do jetë më president efektiv dhe ai do duhet të njohë pushtetin e parlamentit,” thotë ekspertja.
Top Channel