Xhafaj në Durrës, mbledh Prefektët dhe krerët e policisë

12/06/2018 13:41

Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj zhvilloi në Durrës një takim me Prefektët, drejtuesit kryesorë të Policisë së Shtetit në Drejtorinë e Përgjithshme, Drejtoritë Vendore dhe Komisariate.

Mësohet se çështjet kryesore që u diskutuan gjatë takimit ishin: – Mbarëvajtja dhe masat për sezonin turistik; – Lufta kundër kanabisit, i cili mbetet një prioritet i qeverisë nën moton “Zero tolerancë”; – Nisma “Policimi në Komunitet” që po vijon me llogaridhënien e policisë përballë qytetarëve.

Duke u ndalur në sezonin turistik, ministri Xhafaj theksoi se pritshmëritë e qytetarëve, turistëve dhe operatorëve turistikë janë të mëdha.

“Edhe interesi është shumë i lartë i operatorëve, vendas, të huaj në këtë fushë, por edhe pritshmëria e njerëzve të thjeshtë, e qytetarëve që presin një shërbim shumë më të mirë, është shumëfish më e lartë, çfarë nënkupton më shumë përgjegjësi për ne.

Sivjet mbështetur në një përvojë shumë të mirë analizën e së cilës ne e kemi bërë në nëntor të 2017, për çfarë kemi pasur problematika gjatë sezonit të kaluar dhe reflektimet përkatëse, do të mund të na ndihmojnë që të mund të reflektojmë më mirë dhe të japim parametra shumë më të lartë qetësie dhe sigurie tek qytetarët dhe të gjithë operatorët turistikë në këtë sezon”, nënvizoi ministri Xhafaj.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu u kërkoi drejtuesve të Policive Vendore dhe shefave të komisariateve të jenë të vendosur për të zbatuar oraret dhe kufizimet e vendosura nga pushteti vendor për të mos lejuar ndotjen akustike.

Ai dha porosi të veçanta për Policinë Rrugore, për të menaxhuar trafikun dhe minimizuar aksidentet.

Drejtori Veliu gjithashtu kërkoi angazhim më të madh të Policisë për të shmangur ngjarjet me pasoja të rënda në det.

“Për sa i përket pjesës së kufizimit dhe rritjes së sigurisë në ujë, për sa i përket kufizimeve që duhet të bëjmë në hapësirat apo në pjesët ku janë përcaktuar për plazhe, qofshin këto publike apo private, duke mos lejuar qarkullimin e mjeteve motorike, qofshin gomone, skafe të vegjël apo motorë uji, me qëllim parandalimin e ngjarjeve aksidentale” u shpreh drejtor Veliu.

Zv.drejtorja e Përgjithshme e Policisë së Shtetit Aida Hajnaj bëri një prezantim të detajuar të paketës së masave të marra nga policia për mbarëvajtjen e këtij sezoni.

“Për të përballuar me sukses këtë sezon turistik u bë një studim dhe përcaktim i plazheve me qëllim përcaktimin e risqeve në drejtim të sigurisë. Është bërë planifikim i punonjësve të policisë, mjeteve dhe pajisjeve shtesë; ngritja e 5 stacioneve provizore të policisë; përforcim i shërbimeve të Policisë me shërbime të Ndërhyrjes së Shpejtë; dhe shtimi i sporteleve për pikat e të gjitha hyrje-daljet në pikat kufitare”, shtoi ndër të tjera Hajnaj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA