E enjtja parlamentare riktheu në publik Lulzim Bashën, i cili që prej seancës së javës kaluar nuk ishte shfaqur më para kamerave. Socialistët shfrytëzuan rastin për ta ngacmuar kryetarin e opozitës, në përpjekje për ta kanalizuar debatin te çështja e negociatave.

Taulant Balla, kryetar i Grupit Parlametar të PS: Edhe pavarësisht përpjekjeve të kësaj fillimjave të kryetarit të opozitës për të qenë fshehurazi në korridoret e Bundestagut gjerman, jam shumë i sigurtë që brenda Bundestagut gjerman kemi mbështetjen e nevojshme për të vijuar këtë proces.

Lulzim Basha, kryetar i PD: Po, kam qenë në Berlin këtë të hënë e të martë, jo në vizitë klandestine siç thoni ju, as të paguar me milionat e drogës, por i ftuar nga autoritetet më të larta gjermane për të diskutuar shqetësimin e tyre se situata politike në vend, 6 javë pas largimit të Ramës nga Berlini, jo vetëm që nuk ka shkuar drejt përmirësimit, por drejt përkeqësimit, që u lirua Saimir Tahiri dhe e njëjta skemë po ndiqet për të shpëtuar vëllezërit Xhafaj.

Gramoz Ruçi, kryetar i Kuvendit: Mos flisni në emër të kancelarive të ndryshme europiane se flisni në emër të Gjermanisë, por në dijeninë time, dje qeveria gjermane ka vendosur të mbështesë hapjen e negociatave për Shqipërinë.

Kapitulli i negociatave u mbyll shpejt dhe demokratët iu rikthyen cështjes Xhafaj. Lulzim Basha kërkoi me insistim duke bllokuar foltoren, që në sallë të ishte prezent ministri i Brendshëm dhe Kryeministri.

Seanca u ndërpre 3 herë, ndërsa ndërsa kryeopozitari nuk e kishte ndjerë rivalin që tashmë e kishte pas krahëve.

“Këtu ka një dhe vetëm një problem, shteti i kapur nga krimi ndaj thirri që të vijnë këtu e të përballen me fakte”, deklaronte Basha.

Edi Rama e surprizojë me një përshëndetje ushtarake.

Edhe këtë seancë Gramoz Ruci u detyrua të shtynte raportimet vjetore të institucioneve duke kaluar direkt në miratimin e rendit të ditës, pjesë e të cilit ishte edhe krijimi i Fondit për Zhvillimin e Diasporës.

“Bashkë me opozitën do të bëjmë edhe ndryshimet në Kodin Zgjedhor për t’u dhënë shqiptarëve që jetojnë në vende të ndryshme të botës të drejtën e votës. Ua kemi borxh dhe për vendimet që duhet të marrim për Shqipërinë, duhet të përfshijmë edhe ata që janë sot në emigracion”, deklaronte Taulant Balla.

Ndërkohë Sali Berisha kishte axhendën e tij, duke denoncuar Qeverinë se i është nënshtruar vullnetit grek përsa i përket negociatave për detin.

Sali Berisha: Pala greke, në mënyrën më arrogante dhe prepotente i kanë dorëzuar palës shqiptare marrëveshjen përfundimtare dhe i kanë thënë: Merreni se për këtë s’ka asnjë koment, asnjë diskutim. Pra, që s’mund ta komentojmë e diskutojmë.

Taulant Balla: Makthi yt Sali për marrëveshjen e detit me Greqinë nuk të shpëton dot! I vetmi tradhtar për marrëveshjen me Greqinë, je vetëm ti Sali!

Kryeministri nuk u bë pjesë e diskutimeve, ndërsa qershia mbi tortën e përplasjes parlamentare ndodhi jashtë, kur Monika Kryemadhi i kërkonte pas shpine Taulant Ballës t’i lironte vendin para kamerave.

Monika Kryemadhi: Të flasim edhe ne të opozitës.

Taulant Balla: Patjetër që do të flasësh se atje brenda ta zuri Luli vendin. Më vjen shumë keq që bashkëshortja e Presidentit të Republikës ka filluar të bëjë zhurmuesen, por ky është fati i keq i opozitës.

Monika Kryemadhi: Taulant, s’jam marrë as me motrën tëndë, as me gruan tënde.

Taulant Balla: Kjo është edukata juaj!

Monika Kryemadhi: Edukata ime është shumë e mirë, po mos u merr me çështje familjare.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA