Në konferencën kundër ekstremizmit të dhunshëm, ku të pranishëm ishin krerë shtetesh dhe diplomatë, u diskutuan zgjidhjet që mund të gjejnë kundër ekstremizmit, vendet e përfshira në konfliktet e armatosura, por edhe ato nga ku nisen luftëtarë që i bashkohen ISIS. Princi jordanez tha se përpjekjet për të gjetur një zgjidhje nga jashtë për luftërat fetare nuk janë të suksesshme.
“Është sfidë ideologjike. Terrorizmi islamik është brenda për brenda islamit. Nuk mund të zgjidhet duke aplikuar apo duke dhënë zgjidhje nga jashtë islamit”, u shpreh Princi i Jordanisë.
Në konferencë merrte pjesë edhe kreu i qeverisë së Kosovës, vend nga janë nisur mjaft luftëtarë që i janë bashkuar ISIS. Ramush Haradinaj, thotë se në Kosovë, tashmë ndërgjegjësimi kundër luftërave që zhvillon ISIS është rritur ndjeshëm.
“Lajmet që vijnë nga lufta dhe nga ISIS e ka ndihmuar popullatën të kuptojë sesa e rrezikshme është atje, kështu që ndërgjegjësimi në Kosovë tani është i lartë”, Ramush Haradinaj
Kryeministri shqiptar Edi Rama ju referua bashkëjetesës fetare dhe ndërkufitare për t’i bërë një apel politikaneve për të përmirësuar marrëdhëniet me njëri-tjetrin.
“Është e vërtetë që ne kemi këtë trashëgimi të mrekullueshme. Është mbresëlënëse vëllazëria ndërkufitare ndërsa në anën tjetër shihet mungesa e vëllazërisë midis politikanëve”, tha Edi Rama.
Ndërkohë kreu i qeverisë Bullgare, Borisov, propozoi një zgjidhje për luftëtarët që kthehen nga konfliktet e armatosura të ISIS.
“Në Shqipëri të bëhet një qendër koordinimi për të gjithë luftëtarët që kthehen nga ISIS në territorin e Ballkanit”, u shpreh kryeministri bullgar Bojko Borisov.
Top Channel