Ende nën efektin e zhgënjimit të paraqitjes me Kosovën, Christian Panucci ka në mendje një tjetër ndeshje me Ukrainën, për të kompletuar zborin me ekipin kombëtar, që me shumë gjasa do të jetë i fundit përpara startit zyrtar.
Të rinjtë që thirri në forcë për të freskuar skuadrën zhgënjyen me sukses të plotë dhe Panucci nuk ka shumë kohë për të humbur, ndaj ka bërë hapa mbrapa, duke thirrur në apel ata me më shumë eksperiencë.
Nga rezidenca alpine, ku është akomoduar skuadra, mësohet se italiani ka eksperimentuat një rreshtim të ri për skuadrën, ashtu sikundër edhe emra të tjerë.
Me Berishën që konfirmohet mes shtyllave, në mbrojtje janë edhe Hysaj në të djathtë, ndërsa do të provohet në të majtë Veseli, për t’i dhënë zgjidhje dilemës së mbrojtësit të majtë, pas përjashtimit të Agollit.
Rreshtimi nuk do të jetë si në ndeshjet e mëparshme, por me një vendosje më të fortifikuar. Përpara mbrojtjes e nis nga fillimi Sabien Lilaj, që shihet si ekuilibrist mes reparteve. Roshi do të luajë si një mesfushor i pastër në të djathtë, në qendër do jenë Ndoji dhe Ramadani, ndërsa duket i rikuperuar Lenjani, që do të nisë si mesfushor i majtë.
Për të plotësuar rreshtimin 4-1-4-1, në majën e sulmit mendohet që të nisë ndeshjen Manaj. Këtë rreshtim, Panucci e ka praktikuar pasditen e së premtes, pak minuta pasi u konfirmua që ndeshja do të luhet në stadiumin e Evianit.
Kombëtarja ka nevojë të testohet dhe këtë e kërkon më shume Panucci, që kërkon të jetë i qartë për futbollistët dhe skuadrën që do të ketë në dispozicion për fushën e re kualifikuese.
Formacioni i mundshëm 4-1-4-1: Berisha; Hysaj, Gjimshiti, Mavraj, Veseli; Lilaj përpara mbrojtjes; Roshi, Ramadani, Ndoji, Lenjani; dhe Manaj i vetëm në sulm.
Top Channel