Ata që Saimir Tahiri i konsideronte dikur si pjesë e “policia që duam”, e morën me automjet të rendit ish-ministrin e Brendshëm për ta transportuar nga banesa, ku u mbajt në arrest që prej 12 majit drejt Gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda.

Në hyrje të gjykatës mbështetësit e Saimir Tahirit e shoqëruan me duartrokitje drejt seancës që u mbyll me shfuqizimin e masës “arrest shtëpiak”.

Seanca u zhvillua me dyer të mbyllura, duke mos i dhënë mundësi medias të ndiqte këshillën e ambasadorit amerikan Donald Lu për ta vëzhguar me kujdes procesin. Lu kishte paralajmëruar për presion dhe ryshfet ndaj gjyqtarëve të çështjes “Tahiri”.

Gjithsesi, avokati i Tahirit veçoi vetëm njërën nga frazat e Donald Lu, atë që ka lidhje me provat.

Pas vendimit të Apelit, që i dha lirinë Saimir Tahirit, iu kërkua një reagim ambasadorit Donald Lu. “Referojuni komenteve të një dite më parë”, tha ambasada, e cila u qëndron dyshimeve për ryshfet dhe presion ndaj gjyqtarëve.

Por pas vendimit të Gjykatës së Apelit, që rrëzon për herë të dytë Prokurorinë e Krimeve të Rënda, reagimi i parë erdhi nga simpatizantët e Saimir Tahirit.

Ish-deputeti Saimir Tahiri tashmë do të hetohet në gjendje të lirë për dyshimet e trafikut të narkotikëve dhe korrupsionit, çështje për të cilën mbrojtja këmbëngul se nuk ka prova. Sidoqoftë, fusha e betejës për këtë dosje do të zhvendoset në Gjykatën e Lartë.

“Por, ata (prokurorët) duhet t’i drejtohen gjykatës vetëm po ekzistuan dy rrethana, njëra rreziku i ikjes, që nuk ekziston dhe e dyta rreziku i prishjes së provave”, deklaron avokati i Tahirit, Maks Haxhia.

Pas 16 ditëve arrest shtëpie, Saimir Tahiri fitoi lirinë. Nga ana tjetër prokuroria thotë se do të presë zbardhjen e vendimit për të vendosur nëse do t’i drejtohet apo jo me rekurs Gjykatës së Lartë.

Vetë Gjykata e Lartë e ka një çështje që po shqyrton, siç është ajo e pasaportës, për të cilën që prej datës 7 shkurt nuk ka vendosur seancë.

Top Channel