Një grup prej 24 ish-ambasadorësh që kanë shërbyer në diplomacinë shqiptare pas viteve ‘90 themeluan një organizatë jofitimprurëse për qëllime këshillimi.
Diplomatë të zgjedhur nga qeveri të majta dhe të djathta për arsye të moshës, por shpesh edhe për arsye të vendimeve politike të pushtetit të radhës, janë tashmë jashtë sistemit të Ministrisë së Punëve të Jashtme.
Megjithatë, ata kërkojnë të japin përsëri kontributin e tyre këshillimor për çështje që lidhen kryesisht me integgimin e vendit. Kryetar i këshillit është ish-ministri i Jashtëm, Besnik Mustafaj.
“Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë u themelua me qëllimin e mirë për të vënë përvojën e çmuar të këtyre personaliteteve në shërbim të kauzës së integrimit të pakthyeshëm. Në qëndrimet e tij publike apo konfidenciale, ky këshill do të qëndrojë me vendosmëri jashtë preferencave politike dhe vetëm në shërbim të interesave kombëtare”, u shpreh Mustafaj.
Këshilli i ish-ambasadorëve kërkon që të ndërtojë një bashkëpunim të mirë me të gjitha institucionet e shtetit e posaçërisht me Ministrinë e Punëve të Jashtme. Ai dëshiron një dialog të përhershëm me përfaqësitë diplomatike të vendeve mike si dhe me delegacionet e organizatave ndërkombëtare, të akredituara në Tiranë.
Top Channel