Tahiri shkon në Gjykatë, prokurorët paraqesin prova për njohje me Habilajt

15/05/2018 11:02

Ish ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, u soll nga policia në gjykatën e Krimeve të Rënda jo si një nga dashamirësit e uniformave blu, por si një person nën arrest shtëpiak.

Por pavarësisht rrethanave hetimore ku gjendet ish zyrtari i lartë, asgjë nuk e ka penguar atë që të shprehë sërish përkrahjen ndaj policëve, kësaj radhe ndaj një efektiveje të burgjeve.

Me një pozitë të përshkallëzuar nga vështirësitë me pasaporten në arrest shtepiak, Saimir Tahiri ironizoi përballë dy prokurorëve Besim Hajdarmataj dhe Vladimir Mara që sipas ish ministrit po kalonin në lupë miq e të afërm me të cilët ka kaluar pushimet verore 2014.

Me këto hetime tha Tahiri, më mirë i konsideroni edhe ata nga grup i strukturuar miqësor, në grup kriminal.
Edhe gjyqtarja e çështjes nuk shpëtoi nga batutat e Tahirit pasi sipas tij, për të janë njësoj si arresti shtëpiak ashtu edhe arresti me burg.

Përtej batutave Saimir Tahiri u shfaq i nervozuar në gjykatë kur i tërhoqi vëmendjen gjyqtares se nuk ka ndërmend të arratiset, por se do presë drejtësinë. Si mund të ndikojë në dëmtimin e provave pyeti ish ministri, të njëjtin arsyetim përdori edhe në vendimin e parë edhe tani që jam një qytetar i thjeshtë dhe pa mandat.

Saimir Tahiri kujtoi se mandatin e kishte lënë me dëshirë dhe se nuk ishte një mburojë siç gjyqtarja Baku e kishte cilësuar në verdikt. Por prokurori kujtoi se i janë drejtuar Apelit me kërkesën për arrest me burg pasi në të kundërt me çka pretendon mbrojtja, sipas akuzës ka prova që hedhin dyshime ndaj ish ministrit.

“Ti ke drekuar a darkuar me Artan Habilajn”, e akuzoi drejt përdrejt prokurori. Si prove shtesë prokurori tregoi se skafi i Orges Liperit me të cilin udhëtoi drejt Greqisë Saimir Tahiri, pas një avarie ishte dërguar prej Moisi Habilajt për tu riparuar në Itali. Duke rënduar pozitën e ish ministrit, prokurori Hajdarmataj shtoi se ka dyshime se shumë të dhëna nuk rezultojnë fare në sistemin TIMS, siç është rasti i këtij udhëtimi të Moisi Habilajt.

Prokuroria tha se ka percjelle edhe tre letërporosi të tjera, dy në Itali, për të mësuar emrat e personave që kanë blerë bizhuteritë dhe një në Mal të Zi për të kuptuar udhëtimin e përbashkët. Kjo e fundit kërkohet për llogari të qëndrimit të prokurorisë së 863 mijë eurot e gjetura në makinën e Sotës janë të Saimir Tahirit.

Përpos këtij ballafaqimi në gjykatë, avokati pretendon se nuk ka asgjë të re.

Pas tre orëve të veshtira në gjykatë ku kërkoi ndryshimin e arrestit shtëpiak dhe ku humbi, Saimir Tahiri doli nga hyrja e pasme e gjykatës. Edhe kur u kthye në shtëpi Saimir Tahiri zgjodhi hyrjen dytësore.

FOTO GALERI
2/11

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA