Shkencëtarët janë të tronditur nga shpejtësia me të cilën rezistenca ndaj antibiotikëve të fuqishëm është në gjendje të përhapet nga kafshët tek njerëzit. Një studim i ri tregon se si rezistenca anti-mikrobike ndaj një ilaçi kyç mund të përhapet nga një fermë derrash në Kinë, tek speciet njerëzore dhe shtazore nëpër botë, brenda një periudhe disa vjeçare.
Kolistin është ilaçi i fundit që përdoret për t’i shpëtuar jetën e njerëzve kur të gjitha ilaçet e tjera dështojnë.
“Është përdorur pak në klinikë. Dhe pastaj pati disa shqetësime rreth toksicitetit dhe efekteve anësore. U përdor kryesisht në bujqësi, pastaj tek derrat dhe pak tek pulat. Por kohët e fundit, për shkak të mungesës së alternativave të tjera, njerëzit kanë shtuar interesimin në përdorimin e këtij antibiotiku. Sidomos gjatë pesë apo 10 vitet e fundi,t përdorimi klinik i këtij ilaçi është shtuar shumë”, thotë Francois Balloux, Drejtor i Insitutit të Gjenetikës në Universitetin e Londrës.
Por edhe ky antibiotik po humbet fuqinë e tij.
Bakteriet vdekjeprurëse si E. Coli ose salmonela mund të zhvillojnë rezistencë ndaj ilaçeve. Një studimi i ri i Universitetit të Londërs, i udhëhequr nga zoti Balloux, ka identifikuar shpejtësinë me të cilën gjeni i ndryshuar që i reziston kolistin-it u shfaq në mesin e viteve 2000.
“U shfaq vetëm një herë. Dhe ka shumë të ngjarë të jetë shfaqur tek derrat, ndoshta në Kinë, dhe u përhap me shpejtësi në të gjithë botën. U përhap në lloje të ndryshme të specieve dhe ka prekur edhe njerëzit. Pra, tani e gjejmë atë në shumë prej bakterieve më të rëndësishme me të cilat përballemi në spitale, dhe është absolutisht kudo”.
Bakteria rezistente është gjetur edhe në ujërat e detit në plazhet braziliane.
Ky studim u përqendrua vetëm në një gjen rezistent. Shumë bakterie po zhvillojnë forma të tjera të rezistencës.
Zyrtarja e shëndetësisë në Britani paralajmëroi kohët e fundit se rezistenca ndaj antibiotikëve mund të çojë në “fundin e mjekësisë moderne”.
“Mendoni për operacionet e zakonshme, lindjet me operacion, zëvendësimin e ijeve. Ato do të bëheshin shumë më të rrezikshme nëse nuk do të kishim antibiotikë efektivë. Bakteriet e sofistikuara vrasin dhe ato janë në rritje”, thotë Dame Sally Davies nga Zyra Mjekësore e Anglisë.
Shkencëtarët po punojnë për “forcimin” e ilaçeve ekzistuese si kolistini për t’i dhënë atyre fuqi shtesë kundër bakterieve rezistuese.
Në aspektin afatgjatë, studiuesit thonë se nevojiten më shumë investime në zhvillimin e ilaçeve të reja, si dhe rishikimin e mënyrës se si përdoren antibiotikët në bujqësi dhe në klinika.
Top Channel